Ergys Mërtiri në Apostrof: Nuk ka inkuizicion më të madh ndaj qenies njerëzore se sa kur ti i vret intimitetin 

Aktualitet

Publikuar: 20/04/2025

Ergys Mërtiri në Apostrof: Nuk ka inkuizicion më të madh ndaj qenies njerëzore se sa kur ti i vret intimitetin 

Në shoqëritë moderne, ku dukja po merr gjithnjë e më tepër përparësi ndaj përjetimit dhe ku çdo moment duhet të ndahet me botën, intimiteti dhe privatësia janë kthyer në një lloj luksi – një hapësirë që po zhduket. Gjatë diskutimit në episodin e kësaj të diele në Apostrof Podcast,sociologu Ergys Mërtiri shtroi një pohim që më shumë se analizë, tingëllon si diagnozë e kohës sonë: Kur i vret njeriut intimitetin, e ke vrarë vetë njeriun.

“Bota këtu humbet intimitetin. Kam parasysh shkrimtarë, të cilët e kanë trajtuar këtë dhe thonë: nuk ka gjë më të tmershme, nuk ka inkuizicion më të madh ndaj qenies njerëzore se sa kur ti i vret intimitetin. Kurt i vret intimitetin, ke vrarë njeriun. Sepse shfaqja nuk është e jotja – është ajo çfarë ti ndan me tjetrin. Ajo çfarë është jotja, është çfarë ti mban për veten tënde.”

Sot, gjithçka kërkon të dokumentohet. Rrjetet sociale, më shumë se hapësira komunikimi, janë shndërruar në platforma të përhershme dukjeje– ku vetja jo vetëm shfaqet, por gjithnjë e më shumë ngjizet në raport me syrin e tjetrit.

Çfarë ndodh me njeriun kur nuk i mbetet më asgjë intime? Kur çdo emocion filtrohet për publikun, dhe çdo aspekt intim apo shpirtëror vihet në shërbim të imazhit? Mërtiri e quan këtë një formë të re pushteti: jo përmes dhunës klasike, por përmes zbrazjes së individit nga vetvetja. Nëse gjithçka është për t’u ndarë, atëherë ndoshta asgjë nuk është më vërtet e jona.