Pika doganore e Kapshticës, një nga vendkalimet kufitare që lidh në rrugë tokësore Shqipërinë dhe Greqinë, është kthyer në një “han pa porta”.
Në redaksinë e VoxNews kanë mbërritur më herët informacione se punonjës të Policisë së Shtetit, më saktësisht të Drejtorisë Vendore të Emigracionit, “lejojnë” një mori parregullsish.
Kjo u vërtetua edhe sot, kur Policia e Korçës njoftoi se drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, dy specialistë në këtë drejtori dhe 3 doganierë të Kapshticës janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre.
Konkretisht 3 doganierët Vasfi Toska, Erjon Gozhdari dhe Anxhela Elezi shpërdoruan detyrën duke falsifikuar dokumentet e regjistrimit të një ngarkese me mallra ushqimore.
Ndërsa drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Dorian Doka, dhe dy specialistët për Hetimin Doganor, Kejdi Kacupi dhe Genti Tashana nuk njoftuan organet kompetente, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e rastit.
Megjithatë, duket se policia ka prerë vetëm disa degë të korrupsionit duke lënë pa cënuar trungun dhe rrënjët. Kjo pasi, ashtu siç e ka denoncuar edhe më herët Vox News, dyshimet janë se gjitha veprimet bëhen “me leje” të Drejtorit të Kufirit, Gëzim Zhupaj, ndërsa drejtori i drejtorisë vendore të policisë së Korçës Erion Ahmeti bën sehir.
“Po ju drejtohemi me dhjetëra parregullsi në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë. Po cënohet siguria kombëtare, ku vendkalimi në juglindje të Shqipërisë nuk kontrollohet. Ose më saktë kalon çfarë kërkon drejtori i Zhupaj. Lejon çfarë do ai. Kalojnë njerëz dhe kafshë çfarë ‘lejon’ drejtori Zhupaj. Është bërë Kapshtica si pronë e drejtorit të Kufirit të Korçës. Ky kudo që ka qenë ka bërë të njëjtën gjë dhe askush s’e ka ndalur”, tha një punonjës i Kufirit, në kushte anonimati për Vox News.
Por, kush është Gëzim Zhupaj dhe akuzat e njëpasnjëshme në drejtim të tij?
VoxNews bëri një hulumtim ku rezulton se ai ka mbajtur disa poste në Policinë e Shtetit. Drejtues është bërë pasi mazhoranca aktuale erdhi në pushtet. Ka drejtuar Komisariatin e Policisë Nr.3, Nr.4 dhe Nr5. Por, ai njihet si edhe një oficer që ka shkuar si shef komisariati në Kombinat, pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt.
Me lidhjet e tij të atëhershme, Zhupaj arriti që të katapultohej në drejtimin e një prej komisariateve me problematikë, madje edhe me influenca në atë zonë, kryesisht të bizneseve dhe biznesmenëve që u akuzuan dhe u hetuan për vrasjen e Lamajt. Por, Zhupaj vijoi i qetë detyrën, ndoshta me “bekimin” e këtyre bizneseve.
Më pas, sërish me lidhje të dyshimta, ai u emërua si Drejtor i Kufirit në Vlorë, një nga qytetet më problematikë në vitet 2016-2019, pasi e gjithë Shqipëria u përfshi nga mbjellje masive kanabisi.
Por, nga do të kalonin tonelatat me hashash? Natyrisht, rruga më efikase për trafikantët është deti, me gomone, skafe apo anije. Askush nuk i pa, teksa në krye të Kufirit në Vlorë ishte një person i besuar si Zhupaj.
Kujtojmë se, në atë kohë, ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha do të denonconte publikisht se “Zhupaj pagoi 220 mijë euro që të mos hetohej nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm”. Një akuzë e rëndë, që asnjëherë nuk u hetua, pavarësisht se Shqipëria u mbulua nga Kanabisi dhe skafet lëviznin lirisht nga Vlorë për në Itali.
“A.S. ka marrë 220 mijë euro nga Gëzim Zhupaj, drejtor i Kufirit në Vlorë! Përmes ryshfeteve të majme që nisin nga 150 mijë euro deri në 220 mijë euro e më shumë, drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, A.S., po mbyll një e nga një të gjitha dosjet e drejtuesve të policisë në rrethe që janë të lidhur me trafikun e drogës” do të deklaronte Berisha.
Ndërkohë, akuza të tjera ka pasur sërish nga opozita, e cila në vitet 2020 do të denonconte lëvizjet e skafeve me drogë nga Vlora. “Jam një oficer policie i Vlorës! Skafi i nisur nga grykëderdhja e Vjosës me 1 ton drogë në drejtim të Italisë është i nipërve të deputetes R.Ll. dhe Gëzim Zhupaj nga Selenica. Gëzim Zhupaj është drejtori i Policisë së Kufirit të Vlorës që garanton transportin me gomone të hashashit për në Itali dhe Greqi” ishte një tjetër akuzë e denoncuar nga opozita.
Sërish e pa hetuar, teksa Zhupaj shkoi në një qytet më të qetë, sërish me detyrën e Drejtorit të Kufirit. Tashmë, ai ka lënë mënjanë hashashin dhe mbylljen e syve për trafikun, dhe është fokusuar te kontrabanda. I gjithë kalimi kufitar në juglindje, në Pogradec dhe Pustec me Maqedoninë dhe në Kapshticë me Greqinë, është bërë një “han pa porta”, teksa lëvizin lirisht mallra, njerëz dhe kafshë.
Por, çfarë bën Zhupaj? Vartësit e tij thanë për VoxNews se “gjithçka bëhet me leje të drejtorit”.
Dritëhijet e Erion Ahmetit, drejtorit të drejtorisë vendore të policisë së Korçës
Ahmeti ka qenë shefi i qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që prej vitit 2018 deri kur u shkarkua me urdhër të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, në vitin 2021.
Ai është kritikuar gjerësisht për mënyrën si menaxhonte qarkullimin rrugor në Tiranë si dhe gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Ahmeti njihet që ktheu Tiranën në parajsën e betoniereve, duke favorizuar industrinë e ndërtimit dhe oligarkëve, ku pavarësisht rregullave të qarkullimit për mjetet e rënda, betonierët lëviznin lirshëm në qytet, ndërkohë që qytetarët përballeshin me pasojat urbane dhe ndotjen e shkaktuar nga kjo liri e pakufizuar.
Ahmeti është akuzuar edhe për neglizhencën ndaj grupeve kriminale në kohën e pandemisë. Duke iu referuar mesazheve të rrjedhura nga SKY/ECC, grupet kriminale lëviznin lirisht dhe përgatitnin atentate në një kohë kur qytetarët ishin të izoluar dhe të kontrolluar rreptësishtë. Kjo ka ngritur dyshime të forta për selektivitet në zbatimin e ligjit nga Policia Rrugore nën drejtimin e Ahmetit.
©CopyrightVoxNews