Ish i burgosuri politik ia ‘plas’ në sy Berishës: Premtuat kompensimet, nuk mbajtët as gjysmën e premtimit

Politikë

Publikuar: 18/04/2025

Ish i burgosuri politik ia ‘plas’ në sy Berishës: Premtuat kompensimet, nuk mbajtët as gjysmën e premtimit

Turi elektoral në Tregun Artizanal të Krujës nuk ka shkuar mirë për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Një ish i burgosur politik dhe i përndjekur, Gëzim Përhana ndaloi Berishën pas takimit, duke e kritikuar për qeverisjet e para të tij, në lidhje me premtimin e kompensimit.

“Jam i burgosur politik për 13 vite. Në qeverisjen tuaj të parë thatë se do dëmshpërbleni të përndjekurit dhe të burgosurit politikë. Kemi vuajtur në Qafë-Bari e Spaç, në miniera kromi e të tjera.

Të paktën të ishte bërë 50% se të gjitha nuk i bënit dot, por të paktën gjysmat… Por nuk janë shlyer të gjitha”, i tha ai Berishës, që u kap i befasuar nga kjo kritikë për qeverisjen e tij, pak pasi akuzoi mazhorancën aktuale për rrënimin e vendit dhe mosmbajtjen e premtimeve.

Kreu i PD-së u përpoq ta sqaronte duke thënë se ishin dhënë mbi 2 mijë banesa për të burgosurit politikë dhe të përndjekurit dhe ishin dëmshpërblyer, edhe pse jo plotësisht.

Por ndërsa ai shpjegonte se çfarë ishte bërë në 2005-2013, ish i burgosuri politik i kujtoi edhe qeverisjen e parë, kur u dhanë vetëm letra me vlerë apo bono thesari.

“Asgjë nuk kanë marrë o burrë, asgjë…!”, vijon qytetari.