Dumani bitisi dosjet e Gërdecit dhe 21 Janarit, Rama: Kam respekt për të, nuk bënte dot gjë deri kur unë i dhash në dorë shpatën (A po mrehen thikat në errësisë?)

Kryesore

Publikuar: 19/03/2025

Dumani bitisi dosjet e Gërdecit dhe 21 Janarit, Rama: Kam respekt për të, nuk bënte dot gjë deri kur unë i dhash në dorë shpatën (A po mrehen thikat në errësisë?)

Kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka qenë prokuror i dosjeve të Gërdecit dhe 21 Janarit, dy dështimeve më epike të drejtësisë shqiptare. Për çështjen e Gërdecit, Dumani ka dhënë një intervistë televizive në vitin 2010 ku tha se kolegët e tij prokurorë nuk e kishin parë të arsyeshme të thërrisnin Shkëlzen Berishën për t’a pyetur, ndërkohë që një grup provash dhe faktesh tregonin se Shkëlzeni ishte pronari i Gërdecit.

Për çështjen e 21 Janarit, e vërteta është se Dumani kërkoi 25 vite burg për Ndrea Prendin, por dosja u sfumua nga gjykata. Megjithatë, hetimet u kufizuan deri te Prendi. Sali Berisha, i cili dyshohet si arkitekti i 21 Janarit, ishte subjekt i Prokurorisë së Përgjithshme në atë kohë. Kryeprokurore ishte Ina Rama, e cila edhe kur deklaronte publikisht rezultatet e hetimit, merrte në krah ambasadorin amerikan për shkak se kishte frikë Berishën. Ndërkaq, SPAK ka bërë një betejë ligjore për t’a hequr nga duart dosjen e 21 Janarit, por regjistroi procedimin penal pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut dhe Gjykatës së Lartë.

Pas një sulmi njëjavor ndaj SPAK, për veprime represive, shkelje të të drejtave të njeriut, intimidim dëshmitarësh, nënshtrim të GJKKO dhe burgosje pa akuza, Edi Rama ka ndryshuar retorikën në raport me SPAK, me sa duket për llogari elektorale. Pas kërcënimit se mund t’a shkrinte SPAK-un me një fëshmëllimë, Edi Rama i thur pothuajse çdo ditë elozhe kreut të SPAK-ut Altin Dumani, por gjithnjë duke i kujtuar se kur ishte prokuror te Krimet e Rënda nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, nuk ka thirrur dot asnjë politikan etj., për shkak të hijes së Berishës. Rama thekson se Dumani tashmë po lufton korrupsionin falë tij, i cili i ka dhënë në dorë shpatën e drejtësisë. Jo vetëm kaq, por Rama kërkon mandatin e katër edhe për të shpëtuar SPAK-un nga Sali Berisha, i cili është betuar se do t’a shkrijë nëse vjen në pushtet.

Me këtë narrativë politike, Rama e trajton Dumanin si një trandafil që po çel falë tij dhe PS, dhe që ai është garancia që trandafilin të mos e këpusë Berisha, pavarësisht kostos së gjembave që i kanë shpuar shokët e partisë dhe pushtetit. Përtej kësaj retorike mikluese dhe gjumësjellëse, disa analistë mendojnë se Rama po mpreh thikat në errësisë, për të larë hesapet me disa prokurorë të SPAK pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, për shkak të tejkalimit të vijës së kuqe, që ishte goditja e Erion Veliajt.

Me tërheqjen e amerikanëve, cilido që të fitojë zgjedhjet Rama apo Berisha, SPAK duket se do të përballet me furtunën e parë serioze me qëllim për t’a përkulur apo shkulur. Por nga ana tjetër Altin Dumani ka në dorë një shpatë, të cilën Edi Rama pretendon se ia ka dhënë për të luftuar korrupsionin. Dhe ajo shpatë mund të drejtohet nga vetë Edi Rama.