I jepet lamtumira babait të Thaçit! Mijëra të pranishëm në homazhe, edhe politika shqiptare me Linda Ramën! Ish-presidenti i Kosovës në qeli në Hagë

Aktualitet

Publikuar: 18/03/2025

I jepet lamtumira babait të Thaçit! Mijëra të pranishëm në homazhe, edhe politika shqiptare me Linda Ramën! Ish-presidenti i Kosovës në qeli në Hagë

Mijëra të pranishëm nga e gjithë Kosova dhe më gjerë bënë respektin e fundit në homazhet ndaj Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Shteti shqiptar u përfaqësua nga një delegacion parlamentar. Emocionalisht, atmosfera ishte edhe më e zymtë për shkak të mospranisë së Hashim Thaçit në përcjelljen e të atit, pasi Gjykata Speciale në Hagë nuk lejoi pjesëmarrjen e tij.

Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali tha se kujtimi i Haxhi Thaçit nuk do të shuhet kurrë, ndërsa organet e drejtësisë në Hagë, po shkelin çdo ditë parimet dhe shpresën që publiku kishte tek ajo.

“Nuk i bën nder askujt, përveçse armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të UCK-së janë sot në “shtatë penxheret” e Hagës. Si viktima të një drejtësie që po bëhet përditë e më tepër një iluzion dhe përditë e më tepër po shkallmon vlerat, parimet dhe standartet ndërkombëtare të drejtësisë dhe injoron e margjinalizon institucionet sovrane të shtetit të lirë e sovran të Kosovës”, tha Spiropali. 

Jo në këmbë të bashkëshortit, por si një nënë dhe gruaja e një politikani, zonja Linda Rama tha se mirëkupton nënën dhe gruan e komandatit Hashim në këtë ditë, ku siç tha, mungesa e dikujt, nuk mund të konsiderohet më e madhe.

“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumiren bacës Haxhi. Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me ty nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë se e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani e posaçërisht nëna e një politikani. Në këtë ditë të trishtuar jam këtu me të gjithë familjen tuaj të cilës sot i mungojnë dy burra”, tha Linda Rama.

Fjalën e fundit në homazhet për Haxhi Thaçin, e mbajti nipi i tij Endriti, djali i Hashimit.

“Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin”, tha Endriti.

Mospjesëmarrja e ish presidentit Thaçi në ceremoninë mortore të të atit ngjalli reagime të forta. Kreu I qeverisë shqiptare Edi Rama dje shkroi në rrjete sociale se moslejimi I Thaçit në varrimin e babait është“Një nivel i ri i turpit nga një tribunal i turpshëm dhe pa turp, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë të zbrazëta dhe vullnetin e Kuvendit të Kosovës në një boomerang brutal”. Këto fjalë u shpërndanë edhe nga emisari special I Donald Trump Richard grenell që publikoi të njëjtin qëndrim.