Përplasja në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky intervistë për median amerikane: Nuk i kërkoj ndjesë Trumpit, dua garanci për vendin tim

Botë

Publikuar: 01/03/2025

Përplasja në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky intervistë për median amerikane: Nuk i kërkoj ndjesë Trumpit, dua garanci për vendin tim

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, dha një intervistë për Fox News amerikan, pak pas përplasjes me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale. Zelensky deklaroi se do të ishte ‘e vështirë” për Ukrainën të përballojë pushtimin e forcave ruse pa mbështetjen amerikane.

“Do të jetë e vështirë për ne”, tha presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur gazetarit amerikan të Fox News, Brett Baier i cili e pyeti nëse Ukraina mund të fitojë apo të rezistojë ndaj Moskës pa mbështetjen e Uashingtonit.

“Prandaj jam këtu. Prandaj po flasim për negociatat e ardhshme. Do të jetë e vështirë pa mbështetjen tuaj”, shtoi ai

“Nuk i detyrohem asnjë ndjesë Trumpit”

“Nuk i detyrohem asnjë ndjesë Trumpit”,shtoi ai pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë.

 “E falënderoj për ftesën dhe e respektoj”, tha Zelensky duke nënvizuar se “disa biseda nuk duhet të zhvillohen përpara mediave, me gjithë respektin për demokracinë dhe shtypin e lirë”.

“Dua paqe të drejtë, nuk mjafton një armëpushim”

“Unë dua paqe, prandaj erdha këtu për të takuar presidentin Trump. Nuk mjafton të thuhet ‘armëpushim’, ne duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shpreh presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur në mënyrë indirekte Trumpit, i cili më parë kishte thënë se Zelensky “nuk është ende gati për paqen”.

“Dua garanci sigurie nga SHBA”

“Një armëpushim pa garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara është një çështje shumë e ndjeshme për popullin tim. Askush nuk e dëshiron përfundimin e luftës më shumë se ne”, shtoi ai.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre. Na keni ndihmuar të mbijetojmë”, tha presidenti ukrainas, duke shtuar: “Respektoj presidentin dhe popullin amerikan”.

“Trump mes palëve? Do të doja të ishte më pro-Kiev”

“Do të doja që Trump të ishte më shumë në anën tonë dhe jo në mes, sepse lufta nisi sepse Putini na sulmoi”, tha ai.

Dorëheqje? “Duhet të vendosë populli ukrainas”

“Vetëm ukrainasit mund të vendosin nëse unë duhet të bëj një hap pas apo jo”, u shpreh Volodymyr Zelensky në një intervistë për Fox News, duke iu përgjigjur kërkesës për dorëheqje nga senatori republikan Lindsey Graham.

“Amerikanët zgjedhin presidentin e tyre, ukrainasit zgjedhin të tyrin. Kështu funksionon”, deklaroi lideri i Kievit.
 

“Dua të ruaj marrëdhënien me Trump”

Presidenti i Ukrainës u përgjigj me “po, natyrisht” kur gazetari i Fox News e pyeti, në përfundim të intervistës, nëse besonte se marrëdhënia me Donald Trump mund të shpëtohej pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë.

Para se të përgjigjej, Zelensky mori përkthimin nga stafi i tij për t’u siguruar që e kuptonte saktë pyetjen dhe të jepte përgjigjen e duhur.

“Po, sigurisht, sepse janë marrëdhënie më shumë se dy presidentë. Janë marrëdhëniet historike, marrëdhëniet e forta midis popujve tanë.

Jam falënderues për presidentin, dhe, natyrisht, për Kongresin, por para së gjithash, për popullin tuaj. Njerëzit tuaj ndihmuan në shpëtimin e popullit tim… ne donim shumë që të kishim marrëdhënie të forta. Unë thjesht dua të jem i sinqertë dhe vetëm dua që partnerët tanë ta kuptojnë situatën saktë. Kjo është për ne që të mos humbasim miqësinë tonë”, tha Zelensky.