Përplasja mes pushtetit dhe SPAK pas arrestimit të Erion Veliajt është evidente dhe po përshkallëzohet dita-ditës. Një ditë më parë, kryeninistri Edi Rama artikuloi disa mesazhe të qarta paralajmëruese për SPAK-un, duke nënkuptuar se fati i këtij institucioni tashmë ishte në dorën e tij. Rama tha se Amerikan nuk është më që të mbrojë SPAK-un dhe se ai mund t’a shkrijë SPAK-un kur të dojë, mjafton t’i fishkëllejë një herë Bufit të Kënetës, duke iu referuar Sali Berishës, i cili një ditë përbetohet se do t’a shkrijë SPAK-un, ndërsa ditën tjetër thotë se po keqinterpretohet.
“Ju e dini që këneta është e përbetuar përmes gojës së bufit të vet që do ta shkrijë SPAK. Nëse do të isha dhe unë i interesuar për këtë, i shqetësuar sic përpiqen të më pikturojnë disa që janë pjesë e problemi dhe nuk kanë lidhje me zgjidhjen, kjo do të ishte më thjeshta fare. Një fishkëllimi bufit dhe e di si vinte bufi apo jo?! Ai buf bufi me një fishkëllimë se e sillte tmerri që ka nga drejtësia, nga SPAK, me tmerrin që ka me të kaluarën që nuk e ndryshon dot dhe e persekuton çdo ditë. Do të shikoni që nuk do hapte gojë Amerika sepse kanë ndryshuar qasje për momentin.… tani Amerika nuk është më. Amerika i kishte njerëzit e vetë që asistonin SPAK, hynin e dilnin në mëngjes e pasdite tek stacioni i Trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, keni dëgjuar ndonjë fjalë të ambasadës amerikane”, tha Rama.
Sot, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjen zhvilloi një takim për reformën në drejtësi. Në takim morën pjesë ambasadorë të BE, kreu i SPAK Altin Dumani, kreu i GJKKO Erjon Bani etj. Në tryezë nuk morën pjesë PS, PD dhe Ambasada Amerikane, edhe lse ishin ftuar.
Në fjalën e tij, kreu i SPAK-ut Altin Dumani, iu përgjigj në mënyrë të tërthortë edhe kritikave dhe paraljmërimeve të Edi Ramës ndaj SPAK-ut, sidomos për keqpërdorimin e masës së sigurisë arrest me burg. Dumani tha se përpjekjet për t’a paraqitur SPAK-un si organ represiv janë të dështuara dhe se puna e SPAK nuk ndikohet nga asnjë ndikim i jashtëm. Gjithashtu Dumani i dha një mesazh sfidues Ramës, teksa tha se pandëshkueshmërisë në Shqipëri po i vjen fundi.
“Çdo masë që kërkojmë, përpiqemi të jemi strikt në zbatimin e kritereve. Lloji i masës përzgjidhet nga disa kritere të caktuara. Përpjekjet për ta nxjerrë SPAK si represiv janë të dështuara….Asnjë lloj ndikimi i jashtëm nuk do cënojë as dobësojë forcën hetimore të SPAK në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe misionin përballë shoqërisë… Ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi“, tha Dumani.