Kush është Fatmir Hanxhari që do t’i zërë diellin me kullë Ambasadës Amerikane, dyshime për pastrim parash, kompania ndërtuese bilance të brishta

Krim & Korrupsion

Publikuar: 23/02/2025

Kush është Fatmir Hanxhari që do t’i zërë diellin me kullë Ambasadës Amerikane, dyshime për pastrim parash, kompania ndërtuese bilance të brishta

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit u mblodh disa ditë më parë duke miratuar lejet për kulla dhe resorte nga Tirana në Sarandë. Përpos të tjerave, KKTU ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle 47 katëshe në rrugën e Elbasanit me emrin Embassy Tower. Kulla do të ndërtohet përballë Ambasadës Amerikane. Kompania ndërtuese e kullës është Hanxhari Group, që zotërohet nga Adjon Hanxhari. Ky i fundit është djali i ndërtuesit vlonjat Fatmir Hanxhari, që zotëron hotelin Vlora Internacional. Fatmir Hanxhari është skeduar dhe denoncuar si një zhvatës pronash në Vlorë, për lidhje klienteliste me strukturat shtetërore lokale dhe skema mashtrimi.

Nga fotoja duket se lartësia e Embassy Tower bën që Ambasador 3 dhe kulla e stadiumit Arena Kombëtare të duken si xhuxha. Ambasador 3 është një kullë 23 katëshe, rreth 82 metër e lartë. Ndërkohë që Embassy Tower e Hanxharit do të jetë të paktën dyfishi i saj.

Ndërtuesi

Hanxhari Group është themeluar në tetor të vitit 2018. Vitin e kaluar kompania regjistroi një xhiro totale prej 2.35 milionë euro dhe fitim neto prej 110 mijë eurosh. Sipas bilancit zyrtar, vlera e aseteve të kompanisë është 11.9 milionë euro. Por nga këto rreth 11.7 milionë janë detyrime, ndërsa kapitali i vet kompanisë është vetëm 230 mijë euro.

A mundet një kompani me këta tregues financiarë të realizojë një investim kaq të madh si kulla 47 katëshe, që do t’i zërë diellin ambasadës Amerikane, kostoja e së cilës mund të jetë edhe mbi 100 milionë euro?

Ndërsa bankat kanë filluar të jenë të kujdesshme në kreditimin e kullave të larta, shumë ndërtues shpresojnë në financimin e tyre përmes shitjeve në ajër. Por nuk mungojnë edhe rastet kur financimet vijnë nga burime të paqarta. Ose në raste të tjera, pas ndërtuesve që marrin lejet në letër qëndrojnë të tjerë persona të fshehtë.

Grabitje të pasurive private

Pamjet e Tatjana Hoxhës në vitin 2023, një prej banoreve, e cila u tërhoq zvarrë dhe u mbajt në ajër nga policia në Skelë të Vlorës, për t’i prishur banesën, nuk do fshiheh lehtë nga kujtesa.

Publikisht u tha se aty do ndërtohej dhe zgjerohej rruga. Por dokumentet treguan se do të ndërtohej një pallat me 13 kate nga biznesmeni Fatmir Hanxhari, i cili dyshohet se kishte korruptuar kupolën e Bashkisë Vlorë dhe policinë, duke i përdorur si bandën e tij.

Hanxhari besohet se kishte blerë dhe rekrutuar kryeinspektorin e mbrojtjes së Territorit pranë bashkisë, Arnold Rrokaj, i cili u çoi letrën banorëve se do t’u prishë shtëpitë pasi preken nga gjurma e rrugës, kur në fakt rruga e re nuk i ka prekur fare. Banesat e tyre prekeshin vetëm nga gjurma e pallatit të Fatmir Hanxharit.