“Shalsi provokon gjakderdhje në Kukës”, deputeti i PS-së i përgjigjet Berishës: Rrangallë politike i  sfilitur nga damka e non-gratës!

Politikë

Publikuar: 20/02/2025

“Shalsi provokon gjakderdhje në Kukës”, deputeti i PS-së i përgjigjet Berishës: Rrangallë politike i  sfilitur nga damka e non-gratës!

Eduard Shalsi, drejtuesi politik i qarkut të Kukësit i është përgjigjur Sali Berishës i cili tha se deputeti socialist ”provokon gjakderdhje në klanin e kryetarit të bashkisë Kukës, Albert Halilaj”, duke iu referuar plagosjes së kushëririt të kryebashkiakut. 

Në një reagim në Instagram, Shalsi e quan Berishën, rrangallë politike, i sfilitur jo nga mosha, por nga non grata.

Më tej Shalsi, ia numëron Berishës që nga shantazhimi i drejtësisë më 21 janar dhe deri te viktimat e Gërdecit.

Reagimi i Eduard Shalsit: 

Sali Berisha, kjo rrangallë politike I kërrusur – jo nga pesha e moshës, por nga damka e “non grata”-s; i sfilitur – jo nga betejat politike, por nga turpi me të cilin ka mbuluar veten e partinë e tij; i hallakatur mendërisht nga braktisja e atyre që dikur i kishte mbështetës; shumë i trembur nga fakti që për herë të parë në jetën e tij po përballet me drejtësinë, Sali Berisha tentoi dje të më përfshinte, duke i vendosur postimit të tij edhe një titull të neveritshëm, në një ngjarje në Kukës, me rrethanat e së cilës nuk kam asnjë lloj lidhjeje.

Është kjo gërdallë politike që shantazhoi sistemin e drejtësisë kur pushteti i tij vrau në mes te bulevardit 4 qytetarë të pafajshëm apo mori 28 jetë njerëzish në Gërdec. Është kjo gërdallë politike që ka kërkuar të mbjellë urrejtje e armiqësi mes shqiptarëve gjithmonë duke përdorur një gjuhë banale e vulgare. Nuk mendoj se Sali Berisha meriton t’i përgjigjem seriozisht. Edhe në kulmin e pushtetit të tij e kam konsideruar si njeri krejtësisht të pazotin për të qeverisur Shqipërinë; të pakulturuar për të shërbyer si model për shqiptarët; të papërgatitur për të udhëhequr vendin; primitiv e tribal në sjellje e krejtësisht të paaftë për të mbajtur fjalime që do të frymëzonin njerëzit; plotësisht i zhytur në padije, gjë për të cilën nuk ka qenë kurrë i vetëdijshëm.

Në finale të jetës së vet, është i dënuar të kuptojë se sa i turpshëm është fundi i tij dhe ky është makthi me të cilin duhet të mësojë të jetojë tani e sa kohë.