Gjykata e Posaçme ka dënuar me 32 vite në total, 4 anëtarët e grupit që drejtohej nga Jetmir Kastrati, të akuzuar për grup kriminal.
Konkretisht bëhet fjalë për një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike në vendet skandinave dhe Evropë, gjatë viteve 2012-2019.
Grupi sipas dosjeve hetimore ka pasur deri në 17 anëtarë, shumica të dënuar edhe nga Danimarka. Që nga viti 2012 deri në qershor 2019 i pandehuri Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici), në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka trafikuar sasi shumë të mëdha kokaine në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e të cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale.
SPAK njofton se këto të ardhura pas vitit 2012 janë shndërruar në pasuri të ndryshme të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Velipojës dhe qytetin e Shkodrës, si dhe aktivitete ekonomike në qytetin e Shkodrës, siç ishte një biznes pulari me emrin tregtar “RENS 2015”.