Në 1 dhjetor 2024, Sali Berisha akuzonte Ols Dadon si anëtar të organizatës kriminale që kishte liruar nga burgu Julian Gjoshin, kunatin e Altin Hajrit. Duke u fshehur pas denoncimit të qytetarit dixhital, Berisha akuzonte Dadon se emri i tij kishte dalë në bisedat në SkyCC mes Hajrit dhe Jurgis Çyrbja, për lirimin e Julian Gjoshit më 2021.
“Olsi Dado liroi vrasësin nga burgu! Miq, autorin e vrasjes në Ndroq, e liroi nga burgu anëtari i organizatës kriminale, SKAP-i i Partisë Olsi Dado“, shkruante Berisha.
Pasi Ols Dado firmosi kërkesën për arrestimin e Erion Velaijt, Sali Berisha e nxori emrin e tij nga organizata kriminale e pretenduar prej tij.
“Kur them SPAK është organizatë kriminale unë nuk nënkuptoj se, çdo anëtar i SPAK është anëtar i organizatës kriminale. Jo, absolutisht kurrë. Por nënkuptoj ata të cilët flenë mbi krimin, janë marrë peng. Po pse duhet ta marr unë të barabartë Altin Dumanin me Ols Dadon. Jo nuk e marr kurrë. Sepse ky firmos“, tha Berisha në konferencën për shtyp.
Ols Dado nuk është më kriminel as për dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezin. Sipas tij, të kapur janë vetëm Alfred Shehu dhe Arben Kraja, jo Ols Dado.
“Nuk njoh askënd, por SPAK siç ka prokurorë sigurimsa, banditë dhe mashtrues, mund të ketë dhe të pavarur që nuk e kanë lexuar ende urdhrin e Edi Ramës për të mos vepruar pa leje për askënd të PS para zgjedhjeve. Spak ka si psh Alfred Shehu që gënjeu për interes të Taulant Ballës sikur nuk kish materiale zgjedhore tek vrasja në Elbasan në 2021 dhe prandaj e promovuan në SPAK. Ka prokurorë sigurims si Arben Kraja që deklaron se ka blerë tokë turistike me gjithë 3 objekte ushtarake me 4 €/m2“, shkruan dhëndri i Berishës, me masë sigurie arrest shtëpie për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas Berishës dhe dhëndrit të tij, të gjithë ato gjyqtarë dhe prokurorë që kanë marrë vendime në favorin e tyre ose kundër kundërshtarëve politikë, si Iliriana Olldashi, Ols Dado, Flojera Davidhi etj., janë të pavarur dhe me integritet. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë marrë pjesë në hetimin e aferave të tyre, si Altin Dumani, Enkeleda Millonai, Arben Kraja, Irena Gjoka etj., janë organizatë kriminale.