Prapaskena

Kryesore

Arrestohet kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, Rama ndërpret vizitën në Shkodër, kthehet me urgjencë në Tiranë

Publikuar: 10/02/2025

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK.

Ishin agjentët e BKH që mbërritën në ambientet e bashkisë Tiranë këtë hënë dhe i komunikuan masën e sigurisë kryebashkiakut. Më pas Veliaj u shoqërua drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Burime jozyrtare bëjnë me dije një masë sigurie “Arrest në shtëpi” është caktuar edhe për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa.

Kryebashkiaku Veliaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Hetimet ndaj Veliajt drejtohen nga prokurorët Altin Dumani dhe Olsi Dado. Ato janë ngritur mbi dyshime të arsyeshme se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj.

Si pjesë e hetimeve, SPAK ka kontrolluar gjithashtu një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Abule.

Vetëm pak minuta pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kryeministri Edi Rama ka anuluar të gjitha takimet që kishte për të zhvilluar gjatë ditës në Shkodër.



Më të lexuarat