Masakra me 10 të vdekur në Suedi, flet mes lotësh babai i autorit: Kjo duhet të jetë e pamundur

Botë

Publikuar: 05/02/2025

Masakra me 10 të vdekur në Suedi, flet mes lotësh babai i autorit: Kjo duhet të jetë e pamundur

Një masakër e tmerrshme ka ndodhur në Suedi, ku një shtetas suedez 35-vjeçar, i cili është edhe autori i sulmit, ka shkaktuar 10 të vdekur dhe ka plagosur pesë persona të tjerë në një shkollë në Orebro. Sulmi ndodhi në një kampus që frekuentohet nga emigrantët dhe personat me aftësi të kufizuara.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, e cilësoi këtë si “një akt brutal” dhe “të shtënat masive më të këqija në historinë e Suedisë”. Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave dhe theksoi se ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin më.

Mbreti Carl XVI Gustaf gjithashtu shprehu dhimbjen e tij dhe falënderoi autoritetet për përpjekjet e tyre në shpëtimin e jetëve të njerëzve. 

Mendimet tona në këtë moment shkojnë edhe për të lënduarit dhe familjarët e tyre, si dhe për të tjerët të prekur. Unë dhe familja ime dëshirojmë të shprehim vlerësimin më të madh për policinë e personelin mjekësor që punoi intensivisht për të shpëtuar dhe mbrojtur jetë njerëzish në këtë ditë të errët”, u shpreh mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf.

Autori i sulmit, që nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, ka qëlluar veten pas aktit, duke lënë pas vetëm dhimbje. Babai i tij, i tronditur nga lajmi, mes lotësh u shpreh se nuk mund ta besonte atë që kishte ndodhur.

 “Nuk di asgjë, kjo duhet të jetë e pamundur”, tha ai për gazetarët.

Një mësuese e përshkroi momentin e tmerrit, duke treguar se një person hapi derën e klasës dhe u kërkoi studentëve të dalin jashtë.

Një person hapi derën e klasës pas pushimit të drekës dhe duke bërtitur, tha se të gjithë duhej të dilnin jashtë. I nxora të gjithë 15 studentët e mi në korridor dhe filluam të vrapojmë. Pastaj dëgjova dy të shtëna, por ia dolëm. Ishim afër hyrjes së shkollës. Pashë njerëz që tërhiqeshin zvarrë të plagosur. E kuptova se ishte shumë serioze”, tha ajo.