Gjykata e Apelit të Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy autorët e vrasjes së Ramazan Mataj, 33-vjeçarit i cili u ekzekutua në fshatin Dragoç të Shkodrës nga Arjon dhe Klisman Hasaj.
Arjon Hasaj është arrestuar nën akuzën e veprës penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Klisman Hasaj është arrestuar nën akuzën e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ramazan Mataj i cili mbeti i vrarë në fshatin Dragoç në Shkodër, u qëllua me breshëri automatiku në orët e mbrëmjes të 4 janarit teksa ndodhej i vetëm në automjetin e tij tip benz.
Viktima po kthehej në shtëpi teksa dy autorët Arjon dhe Klisman Hasaj, vëllezër me njëri-tjetrin, i kanë dalë në pritë duke ekzekutuar 33-vjeçarin.
Kujtojmë se Arjon Hasaj ka pranuar krimin dhe ka treguar se arsyeja pse e ka vrarë Ramazan Matajn ka qenë për shkak të një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh dhe se ai i kishte prishur dy martesa asaj.
Sipas Hasajt, 33-vjeçari i kishte dërguar burrit të dytë të motrës së tij dhe njerëzve të tjerë në fshat edhe video intime ku viktima shfaqej me të motrën e autorit.
Sa i përket vrasjes, 29-vjeçari ka treguar se viktimën e ka nxjerrë në pritë, pas një bisede që kanë patur në Instagram, me anë të një profili të rremë vajze.
Ndërkohë, vëllai i vogël, Klisman Hasaj ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.