Organizatori i vrasjes së Behar Sofisë, ja sa vite burg kërkon SPAK për Jemin Sherën!

Kronike

Publikuar: 03/02/2025

Organizatori i vrasjes së Behar Sofisë, ja sa vite burg kërkon SPAK për Jemin Sherën!

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për Jemin Sherën, i dyshuar si organizator i vrasjes së Behar Sofias.

Ky i fundit është në mungesë, pasi nuk është bërë arrestimi i tij.

SPAK tha se nga hetimet ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen ka krijuar grupin kriminal. Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 shkurt të vitit 2021, në afërsi të piramidës në Tiranë.

Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u ndoq nga ekzekutori Ernejt Shyti disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar mëngjesin 25 shkurtit (2021) afër Piramidës në kryeqytet. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin autori është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit. Shyti u arrestua në Mal të Zi ndërsa në dëshminë e dhënë në Gjykatë ka treguar me detaje rolin e të pandehurve të tjerë.