Vangjel Tavo e ka filluar me “dorë të mbarë” detyrën si kryetar i Bashkisë së Himarës, teska në një hark të shkurtër kohor ka firmosur tenderët e parë të majmë për punë publike në territorin që mbulon.
Disa ditë pasi firmosi fituesin e ndërtimit të rrugës së fshatit Tërbaç, ku tenderin ia dha firmës që oferoi 500 mijë euro më shumë, ai ka shpallur fituesin e procedurës së rrugës në Vranisht.
Sërish e njëjta procedurë, ku të gjitha firmat e tjera skualifikohen, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar. Një skemë e ngjashme me paraardhësin e tij, Jorgo Goro, i cili ia jepte tenderët nënës së ish-juristit të bashkisë, ndërkohë që tani Tavo ia ka lënë “topin” zëvendësit të tij, Pervin Gjikuria.
Por, pavarësisht se firma delegohet, përgjegjësia patjetër është e kryetarit, atij që me votat e muajit gusht 2024 u zgjodh për të drejtuar këtë bashki problematike, me disa ish-drejtues në burg dhe të akuzuar për krime zgjedhore, tendera apo për dhënien e pronave në atë zonë.


Nëse për rrugën e Tërbaçit skualifikoi 3 nga firma në garë, për rrugën e Vranishtit u skualifikuan 2 nga 3 firma në garë. A nuk është një paracaktim të fituesit? Nëse të gjithë ikin nga gara, ku në rrugën e Tërbaçit diferenca mes ofertës fituese dhe asaj të ulët ishte 500 mijë euro, a kemi garë? Natyrisht që jo, pasi Tavo ka filluar që të “kënaqë” ata që e mbështetën në zgjedhje.
Ai u propozua si emër konsensual, teksa ka lëvizur në disa parti dhe ka bërë “paqe” me kryeministrin Edi Rama. Por, duket se kjo “paqe” mund t’a marrë më qafë, pasi koha e ka treguar se kryeministri nuk mbron askënd kur është puna te hetimet e mundshme. Nuk ka rëndësi nëse vjedh, shpërdoron apo abuzon me detyrën; e rëndësishme për qeverinë është nëse vihesh nën akuzë!
Paraardhësit e Tavos, si dhe fituesi i votimeve para tij, u vunë nën akuzë dhe nuk u mbrojtën. Ndërkohë, megjithëse ka një precedent të rrezikshëm, sërish kryetari aktual vepron njësoj.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia e Himarës ka shpallur fitues një bashkim operatorësh për ndërtimin e rrugës së Vranishtit. Ato janë APIS CONSTRUCTION, që do të bëjë 8.37 % të punimeve dhe firmën e FUSHA me 91.63 % të punimeve. Fondi për këtë tender ishte 153 milionë lekë, teksa të tria firmat pjesëmarrëse kanë pasur oferta të përafërta. “ILIRIA/D” ofroi po 153 milionë, APIS & FUSHA 150 milionë dhe ULZA 152 milionë.
Në dokumente shkruhet se dy firmat, “ILIRIA/D” dhe “ULZA” u skualifikuan. “ULZA” nuk kishte staf, teksa “ILIRIA/D” s’kishte punë të ngjashme. Edhe në këtë tender, Tavo ka luajtur në “mbrojtje”, teksa i ka deleguar firmën zëvendësit të tij Pervin Gjikuria. /voxnews