Një shpërthim me lëndë plasëse është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lokal-restorantin “Brazili i Vjetër” në Fushë-Krujë.
Policia e Tiranës informoi se ‘janë dëmtuar me lëndë plasëse xhamat e fasadës së jashtme të lokalit’. Subjekti është në pronësi të shtetasit Bledar Tali.
Pronari nuk njihet si person problematik dhe jashtë kamerave deklaron se nuk ka as probleme dhe as konflikte me njeri, teksa gjithashtu nuk ka dyshime për persona konkret që mund ta kenë kryer krimin.
Dëmet janë mjaft të mëdha, pasi i gjithë lokali ka dalë jashtë funksioni. Ngjarja është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë, por mësohet se ato janë sekuestruar nga Policia për qëllime hetimore, që të arrihet tek zbardhja dhe identifikimi i autorit apo autorëve të krimit.
“Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi policia.