Pakti Rama-Meloni, anija ‘Cassiopea’ me 49 emigrantë mbërrin në Shëngjin

Aktualitet

Publikuar: 28/01/2025

Pakti Rama-Meloni, anija ‘Cassiopea’ me 49 emigrantë mbërrin në Shëngjin

Anija e Marinës Ushtarake italiane “Cassiopea” me 49 emigrant në bord, ka mbërritur në ujërat e Shëngjinit. Ndërsa pritet që rreth orës 8 të ankorohet në port. Ky është grupi më i madh i emigrantëve që mbërrijnë në vendin tonë, që pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes Itali – Shqipëri.

Emigrantët do të zbresin dhe nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse. Pas këtyre proceduarave do të transferohen drejt Gjadrit.

Ky është operacioni i tretë për të strehuar e emigrantë në Gjadër, pasi 2 të parët dështuan. Autoritetet portuale në Shëngjin ishin njoftuar se mjeti lundrues do vinte të hënën e 27 janarit, por për shkak të fluksit të emigrantëve të cilët janë shpëtuar në det, procedurat sollën vonesa.

Rinisja e marrëveshjes me Shqipërinë vjen pas një ndalese prej rreth dy muajsh. Prej fillimit të muajit janar në qendrën pritëse të Shëngjinit dhe kampin e Gjadrit është shtuar numri i personelit dhe gjithçka është gati për të vijuar misionin konform rregullave të përcaktuara mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet.

Transferimi i emigrantëve në qendrat përtej Adriatikut për një riatdhesim më të shpejtë, për të cilin kryeministrja Meloni ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes patrulluese të Marinës “Cassiopea”, e cila tashmë monitoron detin në Lampeduza.

Më herët, gjatë periudhës tetor-nëntor, ka qenë anija “Libra” ajo që sillte emigrantët, por 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Gjadrit u liruan me vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet.

Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.