Ç’dreqin bëhet kështu? Të gjithë janë mpleksur me të gjithë në fshatin tonë të pushtetit. Eufemizmi anglez “WTF” është shumë i butë për të protestuar.
Facebook-u foli para dy ditësh. Kur gjithë bota po shihte me ankth urdhrat ekzekutivë të Trump, Hamas po lëshonte pengjet me pikatore, ndërsa Fatmir Mediu vraponte me ankth korridoreve duke i kërkuar çdo kongresmeni në USA, me përulësi: “Can we take a picture together?”
Postimi tregon dy “armiq” të puqur për të ngrënë e për të pirë në një aktivitet në Itali. Me rastin e fillimit të sezonit gjyqësor, Gjykata e Kasacionit në Itali ka si traditë të organizojë një ceremoni të thjeshtë ku mblidhen gjyqtarë e të ftuar. Aty u shfaq kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçej. Fotot e aktivitetit u hodhën në Facebook nga Ida Laska (Vodica), drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Gjykatën e Lartë.

Lajmi u duartrokit me ‘like’ nga vjehrra e saj Fatmira Laska, një nga tre gjyqtarët që vendosi dënimin me vdekje të poetit antikomunist Havzi Nela, e cila është edhe mamaja e gjyqtares që dënoi Princ Lekën, Migena Laska.
Sadushi dhe Zaçej shkuan për t’u relaksuar në Itali, pasi u “therën” në Shqipëri për mandatin e Holtës, nëse mbaronte në mars apo dhjetor. Shkuan për të shpenzuar ca para e disa ditë eksperiencë me “kolegët” italianë, në kohën kur kryeministri Rama regjistronte podkastin e përjavshëm, me ish deputetin e PD-së Selami Xhepën, të cilit iu ankua për “rastin spektakolar, se si gjyqtarët i rritën pagat vetes.”
Një nga gjyqtarët që votuan për veten është Sonila Bejtja (Ibrahimi).
“What The Fuck”, do shkruante në tetor 2023, burri i saj Andi Bejtja, në një shkrim kundër Edi Ramës. Bejtja, armik i betuar i qeverisë “Rama,” është drejtor kryesor tek “3 DS & AF Entertainment”, më thjesht tek TV Syri, akoma më thjesht tek media e Familjes Berisha. Në një shkrim tjetër kur KQZ nuk regjistroi PD-në e Berishës në zgjedhje, Bejtja shpërtheu: “Mbajeni vulën në bythë t’iu bëjë dhe një kolonoskopi Yuri Kim.”
Por Bejtja Anti-Ramë, Anti-Makron, Anti-Yuri Kim, nuk i nxori asnjëherë ‘gjuhën’ gruas së tij, kur ajo me shoqet demokrate dhe socialiste, morën dhjetëra vendime pro-qeveritare. Bejtja i Berishës nuk e ka përqeshur kurrë motrën e kunatit të tij, Livia Ibrahimi, që punon në Bashkinë Tiranë, as motrën e saj arkitekten Samuela Hidri që projektonte për (kë?) zyrën e Rea Xhillarit, thjeshtrës së Edia Ramës. As kunatin e tij, Erand Ibrahimi, që nga krahu i djathtë i Armando Dukës së FSHF-së, ka dalë krahu i djathtë i paneleve fotovoltaike të “Ballukut,” me kompaninë GREENALB TECHNOLOGIES, Nipt M31806021B.
What the fuck! Ku jemi katandisur!
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është poshtëruar nga ngjarjet banale të kohëve të fundit dhe më tepër mga emërimet politike të anëtarëve të saj. CV-të e tipit “Bejtja,” nga notere partie në votuese qeverie, e kanë kthyer gjykatën më të lartë të vendit në një kopje të shëmtuar të Bankës së Shqipërisë, me rroga më të larta dhe qoka më të rënda.
Fasada e Gjykatës Kushtetuese dhe e Bashkisë Tiranë, po spërkatet pa pushim nga protestat demokrate, ndërkohë që Sonila Betja, vëllai i saj, gruaja e tij dhe motra e gruas, bashkë me poetin erotik Andi Bejtja, i kanë blinduar interesat e tyre, sa nga Bashkia “Veliaj”, sa nga Edi Rama, sa tek Syri “Berisha”.
Demokratët protestues, të përndezur për drejtësi, nuk e dine se parija e tyre puthet natën e shqyhet ditën me pushtetin socialist. Kumbarët e të dy krahëve shahen, shtyhen, divorcohen por kurrë nuk ndahen. Se kanë pjellë një fëmijë që quhet KORRUPSION. Për të duhet të kujdesen gjithë jetën…
What the fuck, lista e pushtëve që hanë e pinë në kurriz të atyre që paguajnë dhe besojnë politikën e të dy krahëve nuk mbaron. Kjo listë ka emra që turpërojnë spektrin e ngjyrave. Ata ngjyhen njëherë me blu, njëherë mavi… më të poshtrit i mbajnë të kombinuara, njëkohësisht!