Ish-këshilltari i Donald Trump, John Bolton, që Trump e quajti “tuhaf” vetëm pak ditë më parë, thotë për televizionin shqiptar A2, se gjatë administratës së re të Trump, ish-kryeministrit Sali Berisha mund t’i hiqet masa “non grata”.
Gazetarja: Gjatë administratës Biden, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, tani lider i opozitës, Sali Berisha, u shpall “non grata”. A mendoni se administrata e re Trump mund ta anulojë këtë vendim?
John Bolton: Kjo është absolutisht e mundur. Administrata Trump ka bërë shumë për të përmbysur vendimet e administratës Biden. Ky mund të jetë një prej tyre. Megjithatë, nuk kam dëgjuar ende asgjë për këtë.
Presidenti Donald Trump bëri publike një listë njerëzish që nuk do t’i bashkohen Shtëpisë së Bardhë këtë herë para marrjes së detyrës së tij, dhe mes tyre ishte pikërisht dhe Bolton.
“Ne do ta BËJMË AMERIKËN TË MADHE SËRISH, dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt! Për të kursyer kohë, para dhe përpjekje, do të ishte e dobishme që të mos na dërgoni ose të mos na rekomandoni njerëz që kanë punuar me, ose janë mbështetur nga: “Amerikanët për mosprosperitet” (drejtuar nga Charles Koch), “tuhafi” John Bolton, “trupeshku” Nikki Haley, Mike Pence, luftënxitësit e pabesë Dick Cheney dhe vajza e tij, Liz “psikopatja”. Mitt Romney, Paul Ryan, Gjeneral(?) Mark Milley, James Mattis, Mark Yesper ose çfarëdo individi tjetër që vuan nga “Sindroma e obsesionit ndaj Trump-it,” e njohur më mirë si TDS. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”, shkruajti ai.
Bolton ndërkohë komentoi edhe investimet e dhëndrit të presidentit amerikan në ishullin e Sazanit duke u shprehur se nuk sheh asnjë problem në synimin e qeverisë shqiptare për tërheqjen e investimeve të huaja.
Gazetarja: Kohët e fundit, në rajon kanë shpërthyer diskutime rreth investimeve të dhëndrit të Trump-it, Jared Kushner, në Shqipëri dhe Serbi. “The New York Times” ka sugjeruar se liderët e këtyre vendeve mund të jenë duke blerë ndikim tek administrata e re Trump. A shihni ndonjë lidhje këtu?
John Bolton: Nga sa kuptoj unë, politika e qeverive të këtyre vendeve është të tërheqin investime të huaja dhe shpresojnë që kjo të ndihmojë në rritjen e mirëqenies në Shqipëri. Supozoj që po ndjekin ligjet e aplikueshme shqiptare. Nëse dikush ka informacione të kundërta, le t’i paraqesë. Por është e vështirë të thuhet që qeveria nuk po ndjek një politikë të qartë dhe të mençur për të tërhequr më shumë investime të huaja. Nëse kjo është e gjitha, nuk shoh përse mund të kundërshtohet.