Sali Berisha shkoi sot në SPAK, me një grusht militantësh, duke u paraqitur dhe firmosur tek një varëse e Altin Dumanit, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, për masën e sigurisë detyrim paraqitje. Para SPAK, Berisha sulmoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin. Berisha tha se Dumani, i shpallur hero botëror i antikorrupsionit nga SHBA-të, do përfundojë në koshin e historisë.
“Një informacion taze, Altin Lala, i cili është i birësuar nga krimineli Ymer Lala me të paktën 1 milion euro, sepse e ekzoneroi nga akuzat për vrasje, të bëra nga dëshmitari i drejtësisë, i penduar, Luftar Reçi, i kishte dhënë urdhër OPGJ-së që në procesverbal të mos shënohet asnjë lloj vërejtje. Dhe atëherë kompromisi u arrit, firmosa dy procesverbale, dy kopje mbajtën ata, një pa vërejtje, një me vërejtje. Atë me vërejtje se u thashë se unë pa firmosur vërejtjet dhe pa ua pa paraqitur ato qytetarëve dhe medias, nuk mund të dal nga Skapi i partisë. Shikoni çfarë turpi janë, e kanë rrethuar me policë, çfarë frikacakashësh. Ata që kanë kryer krime, ata kanë gjithmonë frikë. Çfarë po bëni ju? Asgjë nuk po bëni. Këtu në dalje po ua lexoj pak shënimin, kartolinën e mëngjesit që u dërgova krerëve të organizatës kriminale Skrapi i partisë. ‘Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë’. Pra, do përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë“, tha Berisha.
Me sa duket Berisha e ngatërron Altin Dumanin me Bashkim Gazideden, ish kreun e SHIK-ut famëkeq, të cilin e përdori për të masakruar kundërshtarët politikë, torturuar dhe zhdukur kundërshtarët, për të luftuar Jugun e Shqipërisë, për të përgjuar Azem Hajdarin, për të rekrutuar Ilir Metën, për të kriminalizuar shtetin dhe bashkëpunuar me Iranin kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazidede, i cili pas rënies së Berishës u strehua në Turqi dhe Iran, përfundoi në koshin e turpit të historisë, si ushtarë dhe dorë e krimit të Sali Berishës.
Altin Dumani është në krahun e duhur të historisë. Sipas të gjitha sondazheve, Dumani gëzon mbështetje dhe besueshmëri të mbi 80 % të shqiptarëve, ndërsa besueshmëria për Sali Berishën është 13 % dhe për Ilir Metën 3 %. Nëse Sali Berisha, Ilir Meta dhe Gazideda do mbahen mend si ikona të korrupsionit dhe krimit, Altin Dumani tashmë ka hyrë në histori si njeriu i përzgjedhur nga Perëndimi për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri.