Arsida Çerpja, mirditorja që u fut dhe doli nga Big Brother Vip, njoftoi në rrjetet sociale që do padisë penalisht një nga lojtarët e shtëpisë “VIP”, i cili ndodhet ende brenda pasi ajo doli, Arban Përllalën alias G-Bani, edhe ky lojtar nga Mirdita, një zonë e nderuar, me tradita të theksuara dhe e njohur se nuk iu përul sundimit otoman.
Arsyeja e padisë është ofendimi publik që G-Bani i bëri Arsidës në një Prime të spektaklit duke iu drejtuar 15 herë me fjalën “Rrugaçe, rrugaçe, rrugaçe…”. G-Bani sulmoi krahinoren e tij për të mbrojtur një tjetër lojtare për të cilën ka shfaqur xhelozi, gazetaren Valbona Mhillin, e cila u fut në BBV e lënduar për ndëshkimin që i solli “holokausti” që e konsideroi si popull, pa e ditur se ishte iniciativa më famëkeqe për shfarosjen e hebrenjve. Dy VIP-at mirditorë kanë marrë kulturë dhe shkollim në vendet perëndimore përveç shtetësisë, Arsida Çerpja si italiane, Arban Përllala si suedez.
Gjykimin e sjelljes së banorëve “VIP” e bëjnë dy opinionistët shqiptarë: tironsi Arbër Hajdari me kavajsen Neda Karafili, kjo një ish-lojtare e të njëjtit spektakël televiziv.
Në një nga shumë përplasjet në shtëpinë VIP, u përmend fjala “tutor”, që Arsida Çerpja e përdori për të treguar pafuqinë e gazetares Mhilli të debatonte direkt me të, pasi ndërhynte G-Bani.
Spektakli televiziv mori përmasa dramatike pasi Valbona Mhilli i dinte vetëm një kuptim kësaj fjale, “tutor- dikush që menaxhon një prostitutë”, kur në fakt kuptimi është ‘ai që është ngarkuar me ligj që të kujdeset për një të mitur etj.; kujdestar; ai që kujdeset në mënyrë të tepruar për dikë dhe ia ndrydh lirinë e mendimit e të veprimit“.
Debati me pyetjen “Kujt i thua prostitutë?” mbajti në tension miliona shqiptarë që ndoqën pa frymë përfundimin e tij. Përgjatë debatit, reperi G-Bani, për të ekuilibruar sedrën e lënduar të shoqes së tij, i drejtohet Arsida Çerpjes dhjetëra herë “Ti je rrugaçe…”.
Rrugaçe-prostitutë, tutor-rrugaçe, spektakli u garantua, emocionet gjithashtu.
Opinionistja Karafili dha verdiktin e saj: “Fajin e ka rrugaçja”, dhe jo “tutori” G-Bani. Prime i asaj nate u mbyll paq, por jo pretendimi i Arsida Çerpjes, e cila deklaroi në Instagram dy javë pasi pësoi lëndimin publik, që ka marrë një avokat dhe se të drejtën e saj do ta kërkojë në gjykatë. Ajo kërkon që nëse “tutori” G-Bani nuk del nga shtëpia VIP duke i kërkuar dhe falje publike, do shkojë në gjyq për akuza penale.
Një debat mediatik ka lindur për fjalën “rrugaçe”, nëse të fut në burg ose jo. Ndoshta Arsida me avokatin e saj e kanë lexuar si e shpjegon fjalori i shqipes një rrugaçe. Nuk lidhet me fjalët në kuptim pezhorativ si: “baxhellë”, “rruspie”, “e përdalë”. Ashtu sikurse s’do gjente asnjë arsye për padi dhe ofendim G-Bani, nëse një banore do t’i drejtohej atij me fjalët: “O pallosh… o pallë” ose “O klluf”.
Të gjitha këto dy opinionistët kanë për detyrë t’ua shpjegojnë VIP-ave në atë lojë, sigurisht nëse vetë ata i dinë. Opinionistët duhet të vendosin një ekuilibër në sistemin gjuhësor të BBV, duke ndarë njëherë e mirë kur do përdoret “Ik m’i baxhellë!” dhe kur “Shko mër zagar!”.
Spektaklet VIP, përveç larmisë së gjuhës, sjelljes, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe shtetet e botës, sjellin edhe një risi përsa i përket gjetjes së “burrit apo gruas” së jetës.
Neda Karafili u bë Neda Balluku në Big Brother, gjeti burrin e ëndrrave, pinjollin e Beqir Ballukut. Deri tani histori suksesi.
Arsida Çerpja dhe Albano Brusha u martuan live në TV, nga Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska në 2016. Histori e dështuar.
Luiz Ejlli dhe Kiara Tito u martuan në Big Brother dhe kanë një fëmijë. Histori e sapofilluar.
G-Bani dhe Valbona Mhilli, nëse nuk i dënon Arsida me avokatin e saj, ndoshta do nisin një histori VIP dashurie, nga ato alla “Pretty Woman”, një histori me fjalor dhe zemër të pastër, pa rrugaçe ose tutor. Spektakli vazhdon…