Prapaskena

Krim & Korrupsion

Çuçka i Kolonjës Erion Isai paraqitet në SPAK, dy dosje për korrupsion me tenderat dhe fshehje pasurie

Publikuar: 15/01/2025

Kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai është paraqitur sot në SPAK. Isai është kallëzuar në SPAK nga Esmerald Xhafa nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale si; ‘Shpërdorimi i detyrës’, ‘Korrupsion pasiv dhe aktiv’, ‘fshehje e pasurisë’ dhe për ‘shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’.

Përveç tij, në Prokurorinë e Posaçme janë kallëzuar edhe Spiro Zoto ish pronar dhe administrator i Rehovari shpk, Euljon Hasko administrator dhe pronar i Rehovari shpk, anëtarët e njësisë së Prokurimit për vitin 2022, 2023, 2024 dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për vitet 2022 2023, 2024, për të njejtat vepra penale.

Në fakt nga hulumtimet e kryera në tenderat e prokuruara nga ana e Bashkisë Kolonjë rezulton që për fat të keq pjesa më e madhe e tyre për të mos thënë të gjitha janë me flamur të Kuq, që do të thotë se kanë problem. Nëse do ti shohim tenderat e zhvilluara nga ana e Bashkisë Kolonjë, janë në vlera të Konsiderueshme por ndarja e tyre është bërë e paracaktuar, dhe se punimet e prokuruara nuk janë kryer me cilësi apo sipas projektit të hartuar nga ana e Autoritetit Kontraktor, apo edhe të mos jenë kryer fare por janë Procedura për të futur lekë nga buxheti i shtetit në xhepat e tyre drejtues të Bashkisë Kolonjë. Rezulton që me ardhjen në drejtimin e Bashkisë Kolonjë qeveria është treguar zemërgjerë duke i alokuar miliona euro për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, për ujësjellësa, për ndërtime shkollash, për fasada pallatesh etj etj, si dhe në Bashkëpunim edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë rindërtuar disa rrugë të cilat për fat të keq janë prishur ende pa mbushur vitin siç është edhe rruga që të çon në Llixhat e Sarandaporit Leskovik. Duke studiuar këto procedura nisur edhe nga ankesat që qytetarët kishin , por për shkak se janë të trembur pasi kërcënohen me heqje nga puna më rezultuan shumë raste të procedurave të cilat janë kryer dhe punimet ose nuk janë kryer fare, ose janë kryer pa cilësi dhe duke mos iu përmbajtur specifikimeve teknike që këto kanë patur. Rasti më flagrant është rasti i Rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtim prita Malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjëviti 2023”, thuhet në kallëzim.

Dosja e dytë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka referuar në SPAK një dosje voluminoze për kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe afera me tenderat. Kallëzimi penal në SPAK për Erion Isain, i njohur si Çuçka e Kolonjës, vjen pas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashkinë e Kolonjës, ku janë konstatuar abuzime me tenderat me kosto miliona euro.

Sipas kallëzimit penal, në disa praktika me natyrë korruptive, kryebashkiaku Erion Isai ka firmosur tendera për disa kompani pa plotësuar kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor (bashkia), duke shkelur barazinë në tendera dhe shpërdoruar detyrën. Gjithashtu, Bashkia e Kolonjës me në krye Erion Isain nuk ka monitoruar as zbatimin e kontratave, ku kompanitë e paracaktuara fituese, në disa raste, nuk kanë realizuar asnjë volum pune, por thjeshtë kanë marrë paratë publike, ku dyshohet se i kanë ndarë me Erion Isain, i cili ekspozon luksin në Tiranë.

Në kallëzimin penal të firmosur nga kreu i KLSH, Arben Shehu, janë dokumentuar disa praktika abuzive me protagonist kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, i cili ka konsumuar më shumë se një herë veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera. I mbetet SPAK për të hetuar nëse Erion Isai ka përfituar në forma të ndryshme para publike nga tenderat që ka firmosur për klientët e tij.



Më të lexuarat