A mund t’i zëvendësojë politikanët Inteligjenca Artificiale?

Teknologji

Publikuar: 15/01/2025

A mund t’i zëvendësojë politikanët Inteligjenca Artificiale?

Mundësitë dramatike të integrimit të AI në politikë, e bëjnë momentin aktual shumë të rëndësishëm për të qartësuar vlerat tona politike.

Nga biznesi dhe administrata publike, deri tek jeta e përditshme e gjithsecilit, Inteligjenca Artificiale po e ndryshon shumë botën. E njëjta gjë mund të ndodhë me politikën në të ardhmen. Ndërsa ideja e politikanëve robotë, mund t’i shqetësojë  disa njerëz, rezultatet e sondazheve tregojnë një histori tjetër.

Një sondazh i kryer nga universiteti im në vitin 2021, gjatë fazës së parë të përparimeve të mëdha në këtë fushë, zbuloi një mbështetje të gjerë publike për integrimin e AI në politikë, në shumë vende dhe rajone. Shumica e evropianëve, thanë se do të dëshironin të shihnin të paktën disa prej politikanëve të tyre të zëvendësoheshin nga Inteligjenca Artificiale. Të anketuarit në Kinë, ishin edhe më shumë dakord që agjentët e AI të hartojnë në të ardhmen politika publike, ndërsa amerikanët që zakonisht janë miqësorë ndaj inovacionit, u treguan më të kujdesshëm.

Si një filozof, që merrem me hulumtimin e çështjeve morale dhe politike të ngritura nga AI, unë mendoj se ekzistojnë 3 rrugë kryesore për integrimin e AI në politikë, secila me përzierjen e vet të premtimeve dhe grackave.

Ndërsa disa nga këto propozime janë më të çuditshme se të tjerat, peshimi i tyre e bën një gjë të sigurt: përfshirja e AI në politikë, do të na detyrojë të ballafaqohemi me vlerën e pjesëmarrjes njerëzore në politikë dhe me natyrën e vetë demokracisë.

Përpara mbërritjes të bujshme të ChatGPT në vitin 2022, përpjekjet për të zëvendësuar politikanët me chatbots, ishin duke u zhvilluar tashmë në disa vende. Që në vitin 2017, një chatbot i quajtur “Alisa” e sfidoi Vladimir Putinin për presidencën ruse. Ndërsa një chatbot i quajtur “Sam” garoi për këtë post në Zelandën e Re. Edhe Danimarka dhe Japonia, kanë eksperimentuar me nisma politike të udhëhequra nga chatbot. Ndonëse eksperimentale, këto përpjekje pasqyrojnë kuriozitetin e madh mbi rolin e AI në qeverisje dhe në kontekste të ndryshme kulturore.

Apeli për zëvendësimin e politikanëve prej mishi dhe gjaku me robotë, është në disa nivele shumë i qartë. Chatbot-ëve, u mungojnë shumë nga problemet dhe kufizimet që lidhen zakonisht me politikën e bëtë nga njerëzit. Ata nuk tundohen lehtë nga dëshirat për para, pushtet ose lavdi.

Ata s’kanë nevojë të pushojnë, mund të angazhohen virtualisht me të gjithë dhe menjëherë, dhe të ofrojnë njohuri enciklopedike së bashku me aftësi analitike mbinjerëzore. Gjithsesi, edhe politikanët dixhitalë, trashëgojnë të metat e sistemeve të sotme të AI.

Këta chatbot, të mundësuar nga modele të mëdha gjuhësore, janë shpesh si kutitë e zeza të avionëve, duke e kufizuar arsyetimin e tyre tek njohuritë tona. Ato gjenerojnë shpesh përgjigje të pasakta ose të sajuara, të njohura si halucinacione.

Ndërkaq përballen me rreziqe të sigurisë kibernetike, kërkojnë burime të mëdha llogaritëse, dhe kanë nevojë për një qasje të vazhdueshme në rrjet. Po ashtu, janë të formësuar nga paragjykimet që rrjedhin nga të dhënat e trajnimit, pabarazitë shoqërore dhe supozimet e programuesve.

Për më tepër, politikanët chatbot nuk do të ishin të përshtatshëm për atë që presim nga zyrtarët e zgjedhur me votë. Institucionet tona, janë projektuar për politikanë njerëzorë, me trupa njerëzorë dhe vetëdije morale. Ne presim që politikanët tanë të bëjnë më shumë sesa vetëm t’u përgjigjen kërkesave.

Ne presim që ata të mbikëqyrin stafin, të negociojnë me kolegët, të tregojnë shqetësim të vërtetë për zgjedhësit e tyre dhe të marrin përgjegjësi për zgjedhjet dhe veprimet e tyre. Pa përmirësime të mëdha në teknologji, apo një ri-imagjinim më radikal të vetë politikës, politikanët robotikë do të mbeten një perspektivë e pasigurt.

Një qasje tjetër synon të zhdukë plotësisht politikanët tradicionalë. Fizikani César Hidalgo beson se politikanët janë ndërmjetës të mundimshëm, që AI më në fund na lejon që t’i zëvendësojmë. Në vend të zgjedhjes së politikanëve me votë, Hidalgo dëshiron që çdo qytetar të jetë në gjendje të programojë një agjent të AI bazuar tek preferencat e veta politike.

Më pas këta agjentë, mund të negociojnë me njëri-tjetrin automatikisht për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të shkruar ligjet.

Hidalgo shpreson që kjo të mundësojë më në fund demokracinë e drejtpërdrejtë, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të japin një kontribut më të drejtpërdrejtë në politikë, përmes kapërcimit të barrierat tradicionale të angazhimit në kohë dhe ekspertizës legjislative.

Propozimi duket tërheqës në kuadrin e pakënaqësisë së madhe me institucionet përfaqësuese tradicionale. Megjithatë, eliminimi i përfaqësimit mund të jetë më i vështirë nga sa duket. Në “demokracinë e avatarit” të Hidalgos, mbretër-bërësit do të ishin ekspertët që hartojnë algoritmet.

Meqë mënyra e vetme për të autorizuar në mënyrë legjitime pushtetin e tyre, ka të ngjarë të jetë përmes votimit, ne thjesht mund të zëvendësojmë një formë përfaqësimi me një tjetër. Një ide edhe më radikale, përfshin eliminimin e njerëzve nga politika. Logjika është shumë e thjeshtë: nëse teknologjia e AI përparon deri në pikën ku merr vendime më të besueshme se njerëzit, atëherë cili do të ishte qëllimi i kontributit njerëzor? Një algokraci, është një regjim politik i drejtuar nga algoritme.

Ndërsa pak njerëz mbrojnë një dorëzim total të pushtetit politik tek makineritë (dhe teknologjia është ende larg kësaj pike), hija e algokracisë na detyron të mendojmë në mënyrë kritike se përse ka rëndësi pjesëmarrja njerëzore në politikë.

Çfarë vlerash, si autonomia, përgjegjësia ose mendimi, duhet të ruajmë në epokën e automatizimit të gjithçkaje, dhe si ta bëjmë këtë? Mundësitë dramatike të integrimit të AI në politikë, e bëjnë momentin aktual shumë të rëndësishëm për të qartësuar vlerat tona politike.

Në vend se të nxitojmë për t’i zëvendësuar politikanët njerëz me Inteligjencën Artificiale, ne mund të fokusohemi sot në mjetet që e përmirësojnë gjykimin politik njerëzor dhe mbyllin deficitet demokratike.

Mjete si Habermas Machine, një ndërmjetës i debatit i AI, i kanë ndihmuar me sukses grupet e provës që të arrijnë konsensus kur votojnë mbi çështje përçarëse dhe polarizuese. Por nevojiten më shumë risi të tilla.

Nga këndvështrimi im, e ardhmja e Inteligjencës Artificiale në politikë nuk qëndron në zëvendësimin me shumicë të vendimmarrësve njerëzorë, por tek një integrim i menduar që i përforcon aftësitë njerëzore dhe forcon institucionet demokratike. Nëse kjo është e ardhmja që duam, atëherë duhet të jemi të qëllimshëm në ndërtimin e saj.