Nasip Naço reagon pas deklaratës së Nuredin Dumanit: Si ministër Drejtësie nuk i kam dhënë leje të veçantë

Aktualitet

Publikuar: 14/01/2025

Nasip Naço reagon pas deklaratës së Nuredin Dumanit: Si ministër Drejtësie nuk i kam dhënë leje të veçantë

Deputeti i Partisë Socialiste, Nasip Naço ka reaguar pas deklaratave të vrasësit të penduar tashmë të drejtësisë Nuredin Dumani.

Dumani tha sot në seancën gjyqësore se kohë më parë ishte liruar nga burgu me ndihmën e dhëndrit të vëllait të Nasip Naços.

Deputeti socialist dhe ish-ministri i Drejtësisë mohon këto deklarata. Naço thotë se si ministër Drejtësie, ai nuk ka dhënë leje të veçantë për Nuredin Dumanit.

Reagimi i plotë i Nasip Naços:

“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit, që është mjek”, ka dëshmuar ai.

Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:

 1. Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.

 2. Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:

 – Nuk heton,

 – Nuk ngre akuza,

 – Nuk pushon çështje,

 – Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie.

Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.

 3. Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.

 4. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër.

Faleminderit!