Ekzekutimi i Bujar Nasufit në Tiranë, Bregu zbulon detaje: Vrasja e parë me motor, pas asaj të Santos

Aktualitet

Publikuar: 14/01/2025

Ekzekutimi i Bujar Nasufit në Tiranë, Bregu zbulon detaje: Vrasja e parë me motor, pas asaj të Santos

Gazetari Sokol Bregu ka treguar detaje nga vrasja e 56-vjeçarit Bujar Nasufi, në Tiranë pranë “Pallatit me Shigjeta”. Ai tha se kjo është vrasja e parë nga një vrasës me motoçikletë pas asaj të ish-bankierit Artan Santo në qershor 2014.

“Autori edhe pse ka qenë vetëm e ka shënjestruar dhe e ka kryer aktin. Autori është kujdesur për çdo gjë. Ka qenë i maskuar si picier me një motor që e ka djegur brenda 8 minuta pasi ka bërë vrasjen. Kamerat që e kanë pikasur nuk kanë një identitet të tij. Motivi i parë që ka hedhur policia ishte për konflikte për pronën që i ka me familjarët. Policia e ka të vështirë ta përcaktojë nëse është vrasje me pagesë ose që e ka shënjestruar për probleme me pronën.

Ashtu ishte edhe ngjarja me biznesmenin e ndërtimit, por doli që kishte problem për një rrugë. Nuk ka dyshime ende për asgjë. Vrasësi ka pritur që të ikë bashkëshortja dhe i maskuar si picier.

Që prej vrasjes së Santos nuk kemi pasur vrasje me motoçikleta. Dikur ishin me motoçikleta dyshe që të largoheshin nga postoblloqet. Me ndërtimin e rrugëve filluan vrasjet në autostrada”, tha Bregu për “TPZ”.