Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, nuk po bën asnjë përpjekje për të fshehur ambiciet e tij të mëdha rajonale. Në një deklaratë të guximshme pas takimit të parë të qeverisë turke për këtë vit, Erdogan e bëri të qartë se ai synon të shënjestrojë Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja.
Mesazhi i tij drejtuar Uashingtonit ishte shumë i qartë: “Në Siri ka nisur një epokë e re…Turqia ka treguar se çfarë lloj vullneti ka për të mbrojtur mbijetesën dhe sigurinë e saj. Nëse do të lindë sërish nevoja, ne mund të zbarkojmë papritur një natë atje.
Për organizatën separatiste dhe degët e saj në Siri po ngushtohet rrethi. Si qeveri dhe aleancë, ne do të arrijmë në një mënyrë a tjetrën synimin tonë për një Turqi pa terrorizëm. Sigurisht, ne shpresojmë që kjo të ndodhë në një mënyrë të sigurt. Nëse kjo rrugë bllokohet dhe hidhet në erë, atëherë nuk do të hezitojmë të godasim me grushtin e hekurt të shtetit!”.
Ndërsa administrata Biden po i afrohet fundit të mandatit të saj, Erdogan po hedh bazat për një sulm ushtarak për të neutralizuar SDF-në e dominuar nga kurdët. Përleshjet e fundit midis SDF-së dhe milicive të mbështetura nga Turqia që veprojnë nën flamurin e “Ushtrisë Kombëtare Siriane”, e nënvizojnë vendosmërinë e Erdoganit.
SDF, e njohur globalisht për rolin e saj kryesor në luftimin e Shtetit Islamik ( ISIS), përballet tani me një kërcënim ekzistencial, teksa po lufton për të mbrojtur zonën e saj autonome në Sirinë Veriore.
Për kurdët sirianë dhe komunitetet e tjera që kundërshtojnë qeverisjen xhihadiste, ambiciet e Erdogan sinjalizojnë një të ardhme të zymtë. Qeveria e përkohshme në Siri, e dominuar nga Hayat Tahrir Al-Sham (HTS), krijon shqetësime shtesë. Pavarësisht se përpiqet të paraqisë një imazh ndryshe, HTS ka lidhje historike me grupet ekstremiste si ISIS dhe Al Kaeda. Udhëheqësit e saj, që tani vidhen me kostume perëndimore dhe premtojnë një qeverisje të moderuar, nuk po mundin që t’i fshehin qëllimet e tyre të vërteta.
Shumë zyrtarë të HTS kanë një të kaluar të errët. Kështu Ministri i përkohshëm i Drejtësisë, akuzohet se ka mbikëqyrur ekzekutimet publike të grave siriane. Anas Khattab, i cili është në listën e zezë të OKB për terroristët, i rekrutuar më parë nga shërbimi i inteligjencës turke MIT, u emërua si drejtues i përkohshëm i shërbimit sekret së Sirisë.
Khattab ka pasur dikur lidhje me frontin Al Nusrah, që nga ana e tij ka qenë i lidhur me ISIS-in. Drejtuesja e përkohshme e Çështjeve të Grave Siriane, ka deklaruar se nuk do të “lejojë hapësirë për ata që nuk pajtohen me pikëpamjet e mia mbi çështjet e grave”.
Po ashtu, ka shumë zyrtarë të tjerë të kabinetit të përkohshëm me lidhje të njohura me Al-Kaedën, Jabhat al-Nusra dhe HTS. Shumë nga anëtarët e kabinetit qeveritar të përkohshëm, mendohet se kanë shtetësi të dyfishtë siriano-turke, përfshirë Ministrin e Jashtëm.
Ndërkohë, elitat drejtuese HTS kanë deklaruar se qeveria e përkohshme e Sirisë do të funksionojë sipas ligjit islamik, dhe do të shtyjë deri në 4 vjet mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike. Dhe një vonesë e tillë, ngre dyshime serioze për angazhimin e tyre ndaj qeverisjes përfaqësuese.
Udhëheqësit evropianë, nuk po u zënë besë pretendimeve të HTS për një sjellje të moderuar. Gjatë një vizite në Siri, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e kritikoi grupin dhe tha se Gjermania nuk ka ndërmend të “financojë strukturat islamike”. Refuzimi i liderit të HTS, Abu Mohammad Al-Jolani për t’i shtrënguar dorën ministres gjermane, vetëm sa e përforcoi këtë mosbesim.
Kriza e re e Sirisë
Ndërsa zyrtarët e administratës Biden po përditësojnë në heshtje rezymetë e tyre, Uashingtoni duhet të përballet me të vërtetën e pakëndshme: ndërsa xhihadistët e mbështetur nga Turqia mund të kenë ndihmuar në rrëzimin e regjimit të Asadit, ata po i hapin rrugën një qeverie tjetër autoritare dhe ekstremiste.
Motivet e Erdogan për sulm shkojnë përtej ideologjisë. Ankaraja synon që të vendosë një regjim të qëndrueshëm në Damask, një regjim që përputhet me interesat e saj strategjike. Turqia është e përgatitur të ofrojë ndihmë ushtarake, trajnime dhe mbështetje për rindërtimin e vendit, së bashku me kontratat fitimprurëse për firmat turke.
Po ashtu, Erdogan dëshiron që HTS-ja ta ndihmojë në eliminimin e kurdëve të SDF-së, duke përforcuar imazhin e një qasjeje të ashpër ndaj terrorizmit brenda vendit. Aktualisht, Erdogan po grumbullon shumë trupa përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë. Mbështetja ajrore turke, e ka ndihmuar tashmë Ushtrinë Kombëtare Siriane, dhe një inkursion ushtarak në shkallë të plotë duket i pashmangshëm. Nëse Uashingtoni dështon të veprojë me vendosmëri, ai duhet të përgatitet të përballet me pasojat e rënda të ambicieve të pakontrolluara të Erdoganit.
Edhe Izraeli po e vëzhgon nga afër sjelljen e Ankarasë. Një raport i fundit nga Komisioni Nagel i Izraelit, paralajmëron mbi rreziqet që vijnë nga lidhjet më të forta midis Turqisë dhe një qeverie siriane të udhëhequr nga xhihadistët.
Një aleancë e tillë, paralajmëron ndër të tjera raporti, mund të përshpejtojë shfaqjen e një kërcënimi serioz siriano-turk për Izraelin. Çështja nuk është më nëse Erdogan do të veprojë, por çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për të parandaluar katastrofën. Koha për t’i paraprirë më të keqes po mbaron.