Kokainë dhe armë – Misteret e ngjarjes që tronditi zonën e Astirit në Tiranë

Aktualitet

Publikuar: 09/01/2025

Kokainë dhe armë – Misteret e ngjarjes që tronditi zonën e Astirit në Tiranë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e pazakontë në Tiranë, ku një vajzë kërkoi ndihmë në zonën e Astirit me pretendimin se është dhunuar.

“A2 CNN” raporton se në tavolinën e banesës ngjitur me atë ku u gjet Sajma Qordja, policia ka gjetur dy armë zjarri pistoletë dhe mbetje kokaine.

“I dashuri i vajzës ka marrë banesën me qira ditore. Ndërkohë pronari i banesës ka edhe një hyrje tjetër ngjitur me këtë banesë. I dashuri i vajzës më pas ka marrë me qira edhe hyrjen tjetër.

Policia kishte informacion se në këtë banesë kishte armë zjarri. Sot efektivët kanë ndërhyrë në banesën e dytë ku kanë gjetur dy armë zjarri në tavolinë dhe shenja kokaine.

Sipas saj banesa ka qenë thuajse e shkatërruar. Kur efektivët kanë trokitur në banesën tjetër, që ishte e reja, ajo ka filluar të bërtasë dhe është kyçur brenda dhe ka lajmëruar policinë, pasi ka menduar se personat në fjalë do e dhuronin”, shkruan A2 CNN

Nga të dhënat e para mësohet se vajza vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Në vendngjarje ishte edhe babai dhe daja i saj, të cilët po negocionin me vajzën bashkë me negociatorin e RENEA-s, për të hapur derën. Sipas të atit, vajza është rrëmbyer dhe ajo vuan nga depresioni. Pas disa përpjekjesh, një efektiv arriti të futej në banesë nga ballkoni, ndërsa mësohet se e reja është qetësuar.

Armët po këqyren nga ekspertët e kriminalistikës. Apartamenti ku u gjetën armët dhe ai ku qëndronte vajza mësohet se ishin marrë me qira nga i dashuri i saj.

Sipas informacioneve që policia ka arritur të sigurojë deri në këto momente, dyshohet se në banesë kanë qenë disa djem, të cilët mendohet se janë larguar para se vajza të mbyllte derën.