Grabitën një pikë karburanti, dhunuan një person dhe qëlluan me armë, arrestohen dy vëllezërit nga Kruja

Aktualitet

Publikuar: 09/01/2025

Grabitën një pikë karburanti, dhunuan një person dhe qëlluan me armë, arrestohen dy vëllezërit nga Kruja

Dy vëllezër të përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale janë vënë në pranga nga policia e Krujës.

Vëllezërit A. Ç., 21 vjeç dhe G. Ç., 27 vjeç ishin shpallur në kërkim, pasi njëri prej tyre ishte i dënuar nga gjykata për grabitjen e një karburanti me armë zjarri. Së bashku me vëllain tjetër, ai akuzohet se në prill të 2024-ës ka dhunuar një shtetas dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Njoftimi i policisë:

Krujë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”, për kapjen e 2 shtetasve (vëllezërve) në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Njëri prej tyre, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, si bashkëpunëtor në vjedhjen me armë, të një shume parash, në një karburant, në fshatin Arramerras, në vitin 2021.

2 vëllezërit, në muajin prill 2024, dyshohet se kanë goditur me grushte një shtetas dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Brothers”, si rezultat i të cilit janë kapur dhe ndaluar shtetasit në kërkim: A. Ç., 21 vjeç dhe G. Ç., 27 vjeç (vëllezër), të dy banues në Krujë.

Shtetasin A. Ç., Gjykata e Apelit e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si bashkëpunëtor në vjedhjen me armë, të një shume parash, në një karburant, në fshatin Arramerras, në vitin 2021.

Gjithashtu, dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasi G. Ç., më datë 07.04.2024, kanë goditur me grushte shtetasin S. D. dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër, për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.