Televizioni i Familjes Berisha ka nisur një fushatë histerike kundër gjyqtarit Engert Pëllumbi, i cili në drejtim të kundërt të ‘erës Trump’, vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje për Sali Berishën si i korruptuar. Gjyqtari akuzohet se ka pasur një dajo prokuror të komunizmit dhe sipas Familjes Berisha kjo është një arsye që e bën vendimin e tij politik.
“Pëllumbi është nipi i Bujar Himçit, një nga prokurorët e komunizmit, i cili po ashtu u emërua zv/ministër i Brendshëm i Partisë Socialiste”, shkruan Syri i Berishës.
Kjo akuzë ka disa elenente groteske.
Së pari, vetë Sali Berisha ka qenë komunist dhe ulej pranë oxhakut të Nexhmije Hoxhës. Berisha i numëronte rrahjet e zemrës Enver Hoxhës dhe shëtiste në varkë me djemtë e Enverit. Pra, daja e gjyqtarit dhe Berisha kanë qenë në ‘një varkë’.
Së dyti, daja e gjyqtarit Pëllumbi ka qenë zv/ministër në qeverinë e Ilir Metës, i cili arrestoi Berishën disa orë. Sot, Ilir Meta, në burg si i korruptuar, është aleati kryesor i Berishës në luftën kundër SPAK dhe SHBA-ve.
Së treti, gjyqtari Pëllumbi çoi në burg ish ministrin e Brendshëm të qeverisë Rama, Saimir Tahiri, i sulmuar fort nga Berisha dhe PD, si dënoi për shpifje ish ministen e Ramës, Ermonela Felajn.
Së katërti, PD-ja u themelua nga spiunë të Sigurimit të Shtetit, xhelatë të diktaturës dhe pionerë të Enver Hoxhës. Madje, në zgjedhjet e 11 majit 2025, Berisha pritet të kandidojë sërish për deputet Tritan Shehun, i cili është akuzuar se ka qenë pjesë e grupit të të rinjve që morën pjesë në aksionin për shembjen e kishave dhe xhamive në vitin 1967, ku në shenjë falenderimi u takuan me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë.
