Kreshnik Farruku, një person i kërkuar nga autoritetet italiane, është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit së bashku me të vëllain Erneo Farruku.
Kreshnik Farruku (Budlla) është kreu i klanit Farruku, i njohur për aktivitetet kriminale.
Ditën e sotme, Gjykata e Durrësit vendosi lënien e tyre ne arrest shtëpiak deri në momentin e ekstradimit në Itali, ku kërkohen për shkak të masës së sigurisë të vënë nga Gjykata e Breshias.
Ata ishte në kërkim ndërkombëtar dhe iu konfiskuan pasuritë në dhjetor të vitit të kaluar, pas hetimeve që lidhen me aktivitetet e paligjshme të këtij klani.
Pas dorëzimit, autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe procedurat përkatëse, ndërsa do të përballen me akuzat për të cilat ishn në kërkim.
‘Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasit K. B. alias K. F.(K.), 51 vjeç dhe E. F., 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në Durrës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Këta 2 shtetas janë vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre, në Itali.’, njofton policia.
Gjykata e Durrësit ditën e sotme miratoi arrestin e përkohshëm të Kreshnik Farrukut dhe të vëllait, për shkak të dyshimeve se është i përfshirë me një organizatë kriminale dhe trafikim lëndësh narkotike.
Ky vendim është marrë pas një kërkese nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Brescia, Itali, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg” për këto akuza. Po ashtu, një masë e dytë, “Arrest në shtëpi”, është vendosur për të siguruar ekzistencën e hetimeve të mëtejshme.
‘1. Miratimin e arrestit të përkohshëm të shtetasit Shqiptar K. B. alias S. F. (K.), i biri i R. dhe Xh., i datëlindjes 1974, pasi Gjykata e Brescia, Itali me vendimin Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, ka caktuar ndaj tij në masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizat kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim K. B. alias S. F. (K.), masë e cila do të ekzekutohet në banesën e tij të ndodhur në Rruga “F. N.”, A., M., Durrës, (sipas deklarimit të tij në seancë).
3. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Durrës, më datë 07.01.2025.’, thotë vendimi i Gjykatës së Durrësit.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme ka konfiskuar 27 pasuri të këtij klani, të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.
Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.
Pasuritë janë sekuestruar për arsye të dyshimeve se janë përfituar nga aktivitete kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Dy vëllezërit drejtojnë klanin Farruku, grup që u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës. Në megaoperacionin e 2023 u kap 2 ton kokainë që dyshohet se ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do futej në Spanjë.
Kreshnik Farruku Budlla është shqiptari me 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë dhe me pasuri mbi 1 milion euro në Gjirin e Lalzit.
Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.
Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bë një atentat në Shqipëri në zonën e Don Boskos.
Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.