Detaje të reja janë zbuluar në studion lidhur me arrestimin e Jani Alias nga autoritetet greke në Athinë.
Alia, i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasjen e Elton Çiçës në vitin 2016, u kap gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve.
Sipas mediave greke, lëvizjet e dyshimta të Alias kishin tërhequr vëmendjen e policisë greke, e cila e shoqëroi për verifikim.
Gjatë këtij procesi, Alia paraqiti një dokument identifikimi të falsifikuar, por kontrolli i shenjave të gishtave zbuloi identitetin e tij të vërtetë. Pas kësaj, autoritetet greke e arrestuan menjëherë.
Policia e Shtetit njoftoi të premten e kaluar se i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, është arrestuar në Athinë. Operacioni për kapjen e tij u kodua “In Time” dhe u krye në bashkëpunim me policinë greke.
“Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas”, njoftoi policia.
Aktualisht Interpol Tirana në koordinim me homologët në Athinë po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.