Një burrë i cili vrau të paktën 10 persona pas një sherri në një qytet të vogël në Malin e Zi vdiq edhe vetë nga plagët e shkaktuara vetë, pas një përpjekjeje për vetëvrasje, tha ministri i Brendshëm i vendit, Danilo Saranovic.
Autori i ngjarjes së rëndë, i identifikuar nga policia si Aleksandar Martinovic, 45 vjeç, po përpiqej të arratisej nga policia, por pasi e kuptoi se nuk kishte shpëtim qëlloi mbi veten. “Pasi pa që ishte në një situatë të pafavorshme, ai u përpoq të vriste veten. Nuk vdiq menjëherë nga plagët, por ndërroi jetë gjatë transportimit në spital,” tha Saranovic për radiotelevizionin shtetëror të Malit të Zi, RTCG.
Martinovic ishte në arrati pasi kishte hapur zjarr të mërkurën pasdite në një restorant në Cetinje, një qytet i vogël që ndodhet 38 km në perëndim të Podgoricës, ku vrau katër persona.
Pas kësaj, ai kaloi në tre vende të tjera dhe vrau të paktën gjashtë persona të tjerë, përfshirë dy fëmijë, tha policia. Katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime që rrezikojnë jetën.
Policia tha se Martinovic kishte precedentë për mbajtjen e armëve të paligjshme.
Në mbrëmje, drejtori i policisë Lazar Scepanovic tha se dyshohej që i autori kishte pirë shumë alkool para se të hapte zjarr. Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, tha se kishte pasur një sherr para se të nisnin të shtënat. Spajic e quajti këtë një “tragjedi të tmerrshme” dhe shpalli tri ditë zie kombëtare. Presidenti Jakov Milatovic tha se ishte “i shokuar” nga ky sulm.
Pavarësisht ligjeve të rrepta për armët, Ballkani Perëndimor, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, mbetet i mbushur me armë. Shumica e këtyre armëve janë nga luftërat e dhunshme të viteve 1990.
Spajic tha se autoritetet do të shqyrtojnë mundësinë e ngushtimit të kritereve për mbajtjen e armëve, duke përfshirë mundësinë e një ndalimi të plotë të armëve.