Prokuroria e Posaçme jep pretencën për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla. Në seancën e sotme në GJKKO prokurori Edvin Kondili kërkoi dënimin me 1 vit burg për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkepunim
Si dënim plotësues u kërkua dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhe 5-vjeçare. Për bashkëtëpandehurit Ndriçim Tafxhafa dhe Isuf Toskun, SPAK kërkoi 1 vit burg, ndërsa për Blerim Xhamanin 2 vite burg
Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, Memolla në cilësinë e kandidatit për kryetar bashkie, ndikoi tek i pandehuri tjetër Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që ai të votonte në favor të tij. I pandehuri tjetër, Ndriçim Tafxhafa, sipas SPAK, i ka premtuar një shtetaseje shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe strehim, duke i kërkuar votën.
Seanca e rradhës ku pritet të bëhet mbrojtja dhe shpallja e vendimit u la për më 10 janar.
Çfarë ka ndodhur?
SPAK çoi dosjen në SPAK në 2 nëntor 2023. Procedimi penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio të një bisede telefonike në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, sipas të cilës pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave. Në bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, të cilës i kishte garantuar mos-ndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit. E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë. Madje Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin.