Shtatë të arrestuarit për protestën e opozitës të zhvilluar tre ditë më parë në kryeqytet u lanë në masën ‘detyrim paraqitje’.
Para gjykatës së Tiranës u njohën me masën e sigurisë Gëzim Sadikaj, Vlash Gjonaj, Çlirim Koka, Romarjo Bila, Arif Hoxha, Julian Çela dhe Albin Cani.
Ata u arrestuan për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik.
Pas mbarimit të protestës, policia arrestoi 7 persona, ndërsa 40 deputetë dhe funksionarë të PD dhe PL po hetohen në gjendje të lirë. Opozita bllokoi 5 pika të kryeqytetit nga ora 17:00 deri në orën 20:00 këtë të hënë, njësoj sikur kishte ndodhur më 26 nëntor të këtij viti.
Gjatë protestës pati dhe përplasje mes efektivëve dhe protestuesve, ku u përfshinë edhe deputetë e funksionarë të PD dhe PL. Flamur Noka në një moment goditi me grusht një efektiv, ndërsa nuk munguan fyerjet nga Belind Këlliçi drejtuar policëve.