Belind Këlliçi, drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës u thirr sot nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të hetimit për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit si kandidat për deputet dhe kandidat për kryetar bashkie të Tiranës. Kallëzimi penal është bërë nga avokati Idajet Beqiri, raporton gazetarja Keti Banushi.
Në kallëzimin e tij Beqiri thotë se Këlliçi nuk ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme në institucionin “Harry Fultz” në Tiranë.
Akuza tjetër ka të bëjë me falsifikimin e dokumenteve. Pretendohet se Këlliçi ka falsifikuar dokumente për të regjistruar studimet universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka bërë deklarime të rreme në formularët zyrtarë gjatë kandidimit për deputet, duke deklaruar se ka përfunduar arsimin e mesëm dhe të lartë.
SPAK ka nisur hetimet mbi këto akuza, të cilat po ndiqen nga prokurori Elvin Gogaj. Këlliçi është paraqitur në SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me këto pretendime.
Genjeshtrat mbi diplomën e shkollës së mesme, duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas duke mashtruar edhe institucionet shqiptare, që i kanë bërë njohjen e diplomës Bachelor si po ishte Master shkencore, ngre pikëpyetje të shumta edhe mbi punësimin e Belind Kelliçit në Shqipëri pas kthimit nga SHBA.
Shqiptarja.com ka publikuar 4 investigime në lidhje me si Këlliçi mashtroi universitetin amerikan dhe shtetin shqiptar. /shqiptarja.com