Nga Bardhyl Bejo
Pjesëz “flash” nga “rrugëtimi im nëpër vite”.
Këto ditë kam lexuar diçka që më ka tërhequr fort vëmëndjen. Nga një politikan i opozitës është sulmuar një avokat dhe figurë publike njëkohësisht, ku përveç të tjerash e akuzojnë si “falsifikator”. E veçanta e kësaj është se politikani, akuzën e shoqëron me një vendim gjykate të marë kundër këtij zotnie qysh në muajin korrik të vitit 1987.
Por edhe më e veçantë se kjo, është fakti që për koinçidencë, për këtë “falsifikim”, në këtë vit të largët e në këtë proçes gjyqësor jam edhe unë një prej autorëve, apo më mirë një prej ndihmës gjyqëtarëve të këtij proçesi.
Duke qenë kështu, sidomos për moshën time, nuk do t’ja falja vehtes kurrë që të mos prononcohesha mbi këtë fakt, e veçanërisht të vërtetën, të vërtetën time se ç’ishte kjo ngjarje dhe si rrodhën punët. Tani, kur e ripash vendimin, mu kujtua edhe koha edhe emrat edhe formulimi juridik i vendimit për këtë çështje. Por unë, kam kohë që këtë ngjarje, e kam hedhur në letrat e reflektimeve të mija personale, të cilat edhe për pak kohë i mbaroj dhe mund t’i botoj nëse shokë të mij të ngushtë do të ma konfirmojnë se nuk po bëj ndonjë budallallëk. Ndaj pjesën që lidhet me ngjarjen në fjalë po e shkëpus “motamo” siç e kam shkruar afro tre muaj më parë.
Si është e mundur kjo koinçidencë? Pjesa është pak e gjatë. Vetë ngjarja nuk tërheq ndonjë kuriozitet, por atë e kam hedhur në letër, thjesht për disa lloj dukurishë sociale që lidhen me ngjarjen dhe me kohën kur ka ndodhur ajo, dukuri krejt negative, të cilat sido që unë t’i shpreh edhe pse nga pozitat e një nëpunësi (jo të rëndomtë në fakt) bien padiskutim edhe mbi kurrizin tim, si pjesë e atij sistemi.
VO : personin për të cilin po flas nuk e njoh e nuk e kam takuar asnjëherë, përveçëse nëpër media apo facebook.
* * *
… Kaluan afro tre vite që thuajse e kisha haruar gjyqin e shëmtuar e tronditës të “udhëheqjes”. Nuk isha për këtë punë, nuk isha në gjëndje për t’u marë, qoftë edhe në pozicionin e “gjyqtarit” ndihmës, nuk kisha stomak të shihja pranga e të dëgjoja për burgje. Por ja që nuk ishte e thënë.
Diku nga mesi i vitit 1986 më thërasin pranë Gjykatës të Lartë dhe më thanë se bashkë me një zonjë (shoqe) do të mar pjesë në një gjyq që sekretaria e quante civil. Më erdhi keq, por kaq. Nuk kisha se çfarë të thoja. “Shtyje” dmth, “shtyje deri sa ‘do zoti’ e nuk më thërrasin më nëpër këto punë”, ja kështu mendova. As që mund të mendoja të merja kurajon e të njoftoja se nuk e kam më me dëshirë këtë punë, e nuk dëshëroja ta vazhdoj më tej. Me siguri që do të keqkuptohesha dhe këtë nuk do ta dëshëroja kurrë. Me një fjalë “shtrëngo rrypin Bardhyl”.
Siç më njoftoi gjyqtari, një burrë i qetë, i mirë, tepër i sjellshëm e plot dijeni në fushën e vet, zoti Sh. Muçi, i cili më vonë, pas viteve 90-të kreu për pak kohë detyrën e ministrit të drejtësisë në mos gabohem, çështja ishte e thjeshtë dhe kishte të bënte me një tip falsifikimi nga ana e një gjyqtari, i cili ishte i burgosur prej disa kohësh. Dakort, një ditë punë nuk e konsiderova ndonjë sforco, aq më tepër për një çështje thuajse të rëndomtë.
Por, nuk doli ashtu siç e mendova. E vërteta ishte se çështja ishte e rëndomtë, por pas saj, fshihej një lloj poshtërsie zyrtarësh, një lloj xhelozie e tmerrshme personash me pushtet, një qëndrim i ulët ndaj njerzve të punës, qoftë edhe kur gabojnë, thuajse një degjenerim administrate, të cilën kisha kohë që e ndjeja, dhe e cila më grryente brenda në heshtjen time. Heshtje e cila shpesh më bënte që të “shprazesha” te ndonjë shok i afërt, asnjëherë duke provokuar kundër ligjeve të kohës apo orientimeve partiake, por përherë në “përputhje” me to. E vura në thonjëza “në përputhje”, pasi kjo lloj “përputhje” kishte kohë që nuk “përputhej” më me ato që unë mendoja e frymëzohesha, gjë që shpesh më bënte të revoltohesha në vetvete, të prishja qetësinë time morale e psikollogjike.
Ishte dënuar një ish drejtues i gjykatës të Krujës dhe aty në sallën e gjyqit erdhi i … lidhur me pranga. Nuk e mbaj mend emrin e prokurorit që qëndronte në krah të djathtë të trupit gjykues, pra të zotit Muçi, dhe timit bashkë me një zonjë të nderuar, të dy ne ndihmës gjyqëtarë, emri i të cilës për fat të keq nuk më kujtohet.
Edhe një herë theksoj se gjyqin e konsiderova fillimisht diçka rutinë. Por kur prokurori referoi çështjen, aty fillova të shqetësohem. Pse? Sepse ngatërresat që kishin bërë të burgosej ai që quhej ”i pandehur” dhe që në dukje ishin thuajse ordinere, në gojën e prokurorit dhe nën tonin e tij solemn, mernin artificialisht një lloj kuptimi fare të rëndë, falsifikim me qëllim, mashtrim, abuzim e deri edhe në shpërdorim të detyrës. I dëgjoja fjalët e prokurorit fillimisht me kujdes në fakt, por më pas pa asnjë lloj “kurioziteti”. Sepse ishin “kuriozitete” të rëndomta. Dy – tre vite më parë unë kisha qenë vet drejtues ndërmarje (biles në një me shumë peshë) dhe të tilla fakte e difekte si këto që denonconte prokurori, ndodhnin shpesh. Po të ishte për “falsifikim” jo vetëm unë por me qindra inxhinjerë e drejtues duhet të futeshim në burg. E çfarë burgu se! Në burg, para të cilit duhet të kaloje nga hetimi i një organi të tmerrshëm që atëhere quhej Kontroll i Shtetit, pas të cilit vinte menjëherë Hetuesia. Unë vetë jam paraqitur disa herë për çështje të ndryshme ndërtimore nëpër “zgëqet” e hetuesisë, por përherë kam dalë prej andej plotësisht i mirëkuptuar dhe pa asnjë pasojë e shqetësim.
Pa hyrë në raste të tjera, po them vetëm një fakt që në ndërtim ishte tamam “falsifikim”. Në se psh do të ndërtoje një ujësjellës dhe gjatë muajit kishe shpenzuar gjithëçka (ishte gërmuar kanali, ishin vendosur tubot, salduar dhe hidroizoluar ato) përveç provës nën presion, nuk kishe të drejtë të raportoje më tepër se 50 përqint të vlerës, ndërkohë që ishin shpenzuar 99 përqint e volumeve të punës. Për pasojë nuk realizohej plani (detyra kryesore) dhe sidomos nuk mund të paguaje punëtorinë apo rrogat në përgjithësi, duke krijuar probleme të mëdha thuajse për hiç gjë. Ndaj, shpesh ndërmjet palëve, ndërtuesit dhe investitorit bihej dakort që të “falsifikohej” situacioni i muajit dhe ujësjellësi raportohej i përfunduar komplet, me garancinë që në muajin pasardhës kryhej ai 1 (një përqindëshi) i punimeve të mbetura (në këtë rast prova me presion). Kështu muajt kompensonin njëri tjetrin dhe volumet e punës dy apo tre mujore realizoheshin sipas faktit. Pra bëhej një “falsifikim” teorik, por pa zarar. Sepse në fund të fundit objekti realizohej në kohë dhe me cilësitë e kërkuara. Nejse…
Ajo që më tronditi pas raportimit të prokurorit të çështjes, ishte konkluzioni i tij. Në përfundim, në se nuk gaboj ai kërkoi jo më pak se … shtatë apo tetë vite burg. Skandal! Burg për një “neglizhencë” krejt të zakonëshme administrative. Natyrisht që nuk i dhashë të drejtë vetes as unë e as zonja e nderuar, kolegja ime ndihmës gjyqtare që të flisnim apo të kërkonim ndonjë sqarim, deri sa të përfundonte seanca. Le që nuk e kishim aftësinë e duhur juridike. U paraqitën disa dëshmitarë me sa më kujtohet, të cilët nuk përbënin asnjë lloj risije. Gjyqëtari i arrestuar, kishte dhënë një vendim për përfitim pensioni një qytetari që banonte në Laç, por që ishte i pamundur fizikisht, ishte në regjim shtrati, apo në se nuk gaboj, i paralizuar, ulok, i pamundur të lëvizte.
Dhe tamam këtu qëndronte problemi, apo falsifikimi. I burgosuri, pra ish drejtuesi i seancës gjyqësore bashkë me trupën e vet gjykuese, kishin verifikuar gjëndjen e biseduar me të moshuarin pensionist duke i vajtur në shtëpinë e vet në Laç, ishin bindur plotësisht se ai nuk ishte në gjëndje të lëvizte. Në këto kushte ai mori nismën të bënte seancën gjyqësore pa pjesmarjen e pensionistit të sëmurë, duke bërë pyetjet e ndërtuar përgjigjet e tij, sikur ai merte pjesë fizikisht në seancë. Kjo ishte pra falsifikimi. Sipas rregullit, ai, gjyqëtari duhet të organizonte të merte të paralizuarin me tezgë mbi ndonjë kamjon e ta sillte aty në sallën e gjykimit në Krujë dhe aty në prezencë të bënte ato dy apo tre pyetjet që ja kishin bërë në shtrat në shtëpinë e vet në Laç.
Pasi mbaroi proçesi gjyqësor e trupi gjykues u tërhoq për të marë vendimin, në të njëjtën mëndje (a thua e kishim bërë me fjalë), të dy ne ndihmësit, unë dhe zonja kolege u ndjemë krejt të tronditur. Menjëherë na lindi pyetje që ja bëmë gjyqëtarit kryesor : “Si është e mundur që ky person është arrestuar, si ka mundësi kjo punë”? Dhe më tej thuajse definuam qëndrimin tonë : “ I dënuari është i pafajshëm sh. Shefqet dhe është arrestuar padrejtësisht. Për ne ai duhet të lirohet menjëherë.” ( Dialogjet i mbaj mend mirë dhe nuk shtoj asgjë, përveçëse mbase ngatëroj renditjen).
Zoti apo shoku Shefqet (për atë kohë), nuk u shpreh dhe u largua për një moment. Pas disa minutash na tha se duhet të shkojmë në Gjykatën e Lartë, e cila si ndërtesë ishte afër Gjykatës të Tiranës. E kuptuam se do të na duhej të konsultoheshim me ndonjë drejtues mbi kryetarin tonë. Na priti vet Kryetari i Gjykatës të Lartë të cilin unë e njihja tre vite më parë, kur isha pjesë e trupit gjykues, për të cilën kam shkruar këtu pak më para.