Atentati / Edi Lulo që u kthye nga Dubai është Mond Hysa nga Burreli, i dënuar në Greqi për grabitjen e 500 mijë eurove

Krim & Korrupsion

Publikuar: 16/12/2024

Atentati / Edi Lulo që u kthye nga Dubai është Mond Hysa nga Burreli, i dënuar në Greqi për grabitjen e 500 mijë eurove

Dy shqiptarë ranë pre e një atentati mafioz rreth orës 13:00 të 15 dhjetorit në Athinë. Njëri prej tyre vdiq pasi u qëllua me plumb në kokë, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy shqiptarët janë qëlluar me armë zjarri jashtë një lokali në lagjen Thrakpmakedones.

Autorët qëlluan me gjakftohtësi, duke lënë të vdekur me plumb në kokë shqiptarin Irakli Davella, 47-vjeç dhe plagosën 46-vjeçarin, Edi Lulo.

Teksa viktima u tha se ishte biznesmen, për  46-vjeçarin që u identifikua si Edi Lulo që ka mbetur i plagosur nuk u dha asnjë informacion kush ishte.

Pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, policia greke ka zbuluar se personi i plagosur, më parë ka mbajtur identitetin Etmond Hysa, lindur në 1978 në Shqipëri. Ai është Mond Hysa nga Burreli, një personazh i fuqishëm në Dubai. Një burim tha se është njeri i afërt i Hektor Xheçukës, killeri i njohur në kërkim nga SPAK-u.

Edmond Hysa ka vepruar në Greqi dhe Shqipëri, por vitet e fundit qëndronte në Dubai, aty ku janë mbledhur shumë figura të krimit.

Mond Hysa alluas Edi Lulo rezulton se ka qenë i dënuar në Greqi dhe madje ka bërë burg për ngjarjen e vitit 2011, ku bashkë me dy shqiptarë të tjerë, grabitën Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe nën kërcënimin e armëve morën 404.493 euro. Bashkë me këtë ngjarje ai u akuzua edhe për grabiten e një klinike mjekësore në Pagrati të Athinës ku u morën pajisje me vlerë 110.000 euro.  Pasi kreu burgun, mësohet se u riatdhesua në Shqipëri.

46-vjeçari Mond Hysa, sapo ishte kthyer nga Dubai në Greqi, u qëllua me plumb në kokë dhe bark në atentatin e djeshëm.

Sipas mediave në Greqi atentati ka ndodhur jashtë një dyqani në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotini në veri të Athinës.

Hetuesit besojnë se kthimi i tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival që donte ta eliminonte.

Nuk dihet ende se kush ka qenë objektiv i atentatit, pasi edhe Irakli Davella rezulton i përfshirë në një grup kriminal shqiptaro-grek, i cili prej vitesh vepronte në Athinë dhe drejtohej nga të ashtuquajturit “kumbarë të natës”.

Tre prej pjesëtarëve të grupit ku bënte pjesë më parë Davella, rezultojnë të ekzekutuar më parë dhe disa të arrestuar. Irakli Davella rezulton të ketë marrë nënshtetësi greke në vitin 2009.

Ai është pronar i një lokali në zonën e Peristerit në Athinë dhe gjatë verës jepte edhe automjete me qera në ishujt grekë.

Sipas burimeve policore greke atentati është cilësuar si “profesional”, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm tre gëzhoja.

Mediet vendase bëjnë me dije se autoritetet greke gjithashtu kanë kontaktuar autoritetet shqiptare për informacion, teksa hetimet vijojnë.