Tetë persona janë arrestuar për organizim apo pjesëmarrje në lojërat e paligjshme të basteve sportive, gjatë një aksioni policor në Tiranë.
Të arrestuarit, kryesisht djem të rinj, janë kapur në lokale të ndryshme, duke vendosur baste përmes faqeve ilegale në internet.
Ky aksion është intensifikuar ditët e fundit, teksa qeveria ende nuk ka dhënë asnjë prej 10 licencave që nga kalimi i ligjit më herët gjatë këtij viti.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimim dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” operacioni policor i koduar “Bad spin 13”.
Gjatë këtij operacioni, bazuar në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte dhe shtetas që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e lotarive të palejuara, në lokale të ndryshme në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 8 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale: M. M., F. F., Xh. H., M. B., G. D., F. Rr., Xh. D., dhe A. M., banues në Tiranë.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit G. K., Sh. B., G. N., dhe G. Xh.
12 aparatet celulare të këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan prokurorisë.