Modeli i nënës ‘Maliqi’ si një Ferrari e vjetëruar që bën xhiro nëpër ish Bllok dhe kunati i ‘Sh. Xhemal’, si përfundoi në menaxhere e dyqanit të Armina Mevlanit

Dosje rozë

Publikuar: 23/11/2024

Modeli i nënës ‘Maliqi’ si një Ferrari e vjetëruar që bën xhiro nëpër ish Bllok dhe kunati i ‘Sh. Xhemal’, si përfundoi në menaxhere e dyqanit të Armina Mevlanit

Jonida Maliqi (40 vjeç), këngëtare, showgirl, bizneswoman, në perëndim të famës së saj të dikurshme, gjeti një arsye për t’ia kthyer kamerat vetes: pagesën e ish-bashkëshortit për fëmijën, 8 vjet pas divorcit me Gent Prizrenin (47 vjeç). Ky, i famshëm se është vëllai i Eva Prizrenit (Mane), bashkëshortja e biznesmenit të njohur Samir Mane, pra kunati i tij.

Maliqi thirri mediat kur i shpalli “luftë” ish-bashkëshortit, ndërsa shkoi solemnisht në gjykatë me avokatin Envi Hicka në krah, ky i fundit burri i gjyqtares Alma Hicka.

Çifti “Vip”, pasi u ndanë, lanë në mes hesape pa likuiduar. Asnjëri prej të dyve nuk kishte pasuri të veta. Të dy vinin nga familje të varfra, por fati u doli kur takuan “Sh. Xhemal”.

U martuan, harbuan, lindën një fëmijë, u divorcuan, dhe si çift “vipash” ranë dakord me marrëveshje që Prizreni të paguante 2000 euro në muaj për rritjen e djalit nga Maliqi.

Maliqit i munguan 500 euro për disa muaj, mori nga Prizreni vetëm 1500 dhe këtë e bëri problem. Shkoi në gjykatë dhe deklaroi: “Ky është një realitet me të cilin shumë nëna shqiptare përballen dhe duhet të fillojë që drejtësia të vendoset në vend.”

Nënat e divorcuara shqiptare zgurdulluan sytë kur panë pensionin 2000 euro në muaj për të cilin protestonte në dyert e gjykatës, Jonida Maliqi. 100 ose 200 mijë lekëshat pension ushqimor në muaj, që vendosin gjykatat shqiptare për nënat e divorcuara, filluan të qeshnin me ato.

Çfarë modeli përfaqëson nëna “Maliqi” për nënat e divorcuara shqiptare? Kujt Shqipërie i referohet?

Nga këngëtare BBF-je në rini, në sipërmarrëse e dyqaneve të modës në ish-Bllok gjatë martesës, pas divorcit kthehet në prezantuese televizive dhe menaxhere e dyqanit të Armina Mevlanit. Kjo e fundit influencuese e vajzave shqiptare me modelin “gjeni vetëm burra me lekë”.

Maliqi dhe Mevlani si dy Ferrari të vjetëruara, që shëtisin sa në Bllok, në mes të pallateve të kohës së Enverit, rrëmbejnë lajmin mediatik, vendosen në vitrinën e tij. Të dyja “makina” model i vajzave të reja shqiptare, që dikur kthehen në nëna, e që gjithnjë e më shpesh po kthehen në pension kërkuese të partnerëve që i gjetën duke shëtitur nëpër Bllok apo te Rrugica e Salës.

Modeli “Maliqi” nuk mund të jetë udhërrëfyes i rinisë që po çoroditet nga vezullimi i gënjeshtërt i një makine Blloku, qoftë kjo edhe “Ferrari”.

As vetë 40-vjeçarja Maliqi nuk duhet ta ofrojë më modelin e saj në publik, modelin e një “Ferrari” të dalë mode që kërkon të mbushet me karburant nga ish-pompisti që kishte një pikë furnizimi te ish-Blloku.