Vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, dyshohet për tre autorë. Brenda automjetit me targa greke nuk u gjet arma e krimit

Aktualitet

Publikuar: 19/11/2024

Vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, dyshohet për tre autorë. Brenda automjetit me targa greke nuk u gjet arma e krimit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, ku Klaudio Prendi, 28 vjeç, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u ekzekutua sapo doli nga një lokal.

Disa çaste pasi ai hipi në makinën e tij, një Mercedes G Class, një mjet tip “Audi” ngjyrë gri iu afrua dhe hapi zjarr. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se atentatorët ishin 3 persona, me qitësin të pozicionuar në pjesën e pasme të automjetit. Arma e përdorur mendohet të ketë qenë e pajisur me silenciator, pasi nuk u dëgjuan të shtëna në zonë. Në vendngjarje janë gjetur 5 gëzhoja. Pas atentatit, kanë qenë miqtë e 28-vjeçarit, të cilët ndodheshin ende në lokal, ata të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për ta dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, i riu nuk arriti t’i mbijetojë plagëve. Autorët u larguan në drejtim të Farkës, ku dogjën automjetin për t’u zhdukur më pas në drejtim të paditur. Brenda mjetit të djegur nuk u gjet arma e krimit. Policia është duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar dhe arrestuar personat e përfshirë. Klaudio Prendi rezultonte një person me precedentë penal, pasi kishte qenë i përfshirë në një konflikt gjatë zgjedhjeve lokale të majit 2023 në Pukë, ku u akuzua se qëlloi në ajër pas një konflikti për çështje votash.