Mjeti “G-Class-i i 28-vjeçarit Klaudio Prendi në të cilin ishte duke hipur në momentin që iu bë atentat pak pas mesnates, ka mbërritur në ambientet e policisë së Tiranës.
Ekspertët kriminalistë janë duke punuar te makina e viktimës Prendi për të bërë të mundur gjetjen e provave. Dyshohet se ishin tre autorë të cilët ishin në një makinë tip “Audi A4” ngjyrë gri dhe po e prisnin 28-vjeçarin. Ky i fundit sapo kishte dalë nga një lokal në zonë dhe është futur në automjetin e tij, kur është qëlluar disa herë në kokë dhe në kraharor. Menjëherë autorët janë larguar me shpejtësi drejt rrethit të Shkozës dhe kanë djegur makinën në afërsi të liqenit të Farkës. Brenda automjetit të djegur, tip Audi A4 me targa greke, nuk është gjetur arma e krimit.
Klaudio Prendi ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra në kokë dhe kraharor. Sipas informacioneve, i riu kishte pasur disa sherre me persona të tjerë, të cilët po hetohen nga policia.