Disa ditë pas vrasjes misterioze e biznesmenit Eduart Reçi policia ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e vrasjes. Pistat kryesore ku grupi i hetimit është përqendruar është ajo e biznesit, pasi 52 vjeçari kishte aktivitet në fushën e ndërtimit kryesisht banesa e pallate. Para disa kohësh sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima kishte bërë kallëzim për shkak të një konflikti pronësie në zonën ku ndodhi dhe ngjarja. Po ashtu bëhet me dije se hetuesit kanë dhe një piste tjetër hetimi, atë të gjakmarrjes.
Grupi hetimor është rikthyer disa herë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer eksperimente, pas të cilave ka arritur në përfundimin se 52-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt.
Si u vra Eduart Reçi?
Eduart Reçi, i cili u qëllua me plumb në kokë rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të mërkurës në Tiranë. 52-vjeçari nga Dibra u dërgua në spitalin e Traumës, por nuk arriti që të mbijetonte, duke humbur jetën disa orë pas ngjarjes.
Atentati ndaj tij ndodhi në rrugën “Faik Konica”, pranë një lokali në afërsi të banesës së tij. Ai ishte duke folur në telefon kur është qëlluar. Pranë tij ndodhej gruaja e tij, e cila në fillim ka menduar se ishin ciflat e fishekzjarrëve.
Sipas burimeve viktima është qëlluar me një plumb të vetëm në kokë. Nga verifikimet paraprake të matjeve të eksperimentit të kryer, agresori mund të ketë qenë në një pallat të vjetër me tulla të kuqe që nuk është shumë larg shtëpisë dhe sheshit ku u qëllua. Matja tregoi se vrasësi nuk ka qenë në tarracë, por në katet më të ulëta të kësaj godine. Gjatë të shtunës, pritet që grupi hetimor të kryejë sërish eksperimente të tjera, pasi ka akoma paqartësi. Arma e përdorur në vrasje dyshohet të jetë pistoletë sportive e llojeve të reja, ndërsa po pritet ekspertiza e predhës për ta vërtetuar. Predha është e një kalibri të vogël, 5.65 mm, e gjatë dhe e hollë, struktura e së cilës ka ndihmuar të kaloj tej për tej në kokën e viktimës. Eduart Reçi, profilizohet si natyrë konfliktuale, çfarë ia vështirëson punën hetuesve, duke hapur kështu disa pista.