Operatori ukrainas i energjisë DTEK njoftoi “ndërprerje emergjente të energjisë” në rajonin e Kievit dhe dy rajone lindore të vendit të dielën, pasi autoritetet kombëtare denoncuan më herët një sulm “masiv” rus në rrjetin energjetik të vendit. Ministri i Energjisë, German Galushchenko, tregoi në Telegram se “një sulm masiv ndaj sistemit të energjisë elektrike ka ndodhur” dhe se forcat ruse po “sulmojnë objektet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në të gjithë vendin”. “Ndërprerjet emergjente të energjisë elektrike në rajonin e Kievit, rajonin e Donetsk, rajonin e Dnipropetrovsk”, shkroi DTEK në Telegram.
Rusia denoncon sulmet ukrainase
Guvernatori i rajonit të Belgorod publikoi në Telegram rezultatet e “sulmeve të kryera nga forcat e armatosura ukrainase në rajonin tonë gjatë 24 orëve të fundit”. Sipas rusëve, gjysma e dronëve ukrainas u rrëzuan. Sipas këtij mesazhi janë raportuar dëme, veçanërisht në banesa private.
Dy të vdekur dhe 6 të plagosur pas sulmit rus në Ukrainën jugore
Rusia goditi Mykolaiv, një qytet port në Ukrainën jugore, në orët e para të mëngjesit. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, sulmi rus goditi infrastrukturën civile. Si pasojë e sulmit kanë vdekur dy persona si dhe janë plagosur 6 të tjerë, duke përfshirë dy fëmijë, sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë në Telegram .
Një i plagosur në Kiev
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitchko tha se një person u plagos kur një fragment droni ra në një ndërtesë apartamentesh gjatë një “sulmi masiv” nga raketat dhe dronët rusë kundër Ukrainës. Autoritetet lokale dhe mediat ukrainase raportuan shpërthime të shumta në të gjithë vendin, veçanërisht në jug në Zaporizhia, Odessa dhe Mykolaiv, si dhe në Cherniguiv (në veri).
Sulmi masiv ndaj Ukrainës, Polonia në alarm
Ushtria polake njoftoi të dielën se kishte aktivizuar avionët luftarakë dhe kishte mobilizuar “të gjitha forcat dhe burimet e disponueshme” për të mbrojtur territorin e saj gjatë një “sulmi masiv” të raketave dhe dronëve rusë kundër Ukrainës. “Për shkak të një sulmi masiv nga Federata Ruse me raketa lundrimi, raketa balistike dhe me dron kundër objekteve, ndër të tjera, në Ukrainën perëndimore, kanë filluar operacionet e avionëve polakë dhe aleatëve në hapësirën tonë ajrore”, shkroi Komanda Qendrore Polake në rrjetin X.