Torturuan dhe dogjën të gjallë dy persona në 97-ën, jepet pretenca për Benjamin Hajron

Kronike

Publikuar: 09/11/2024

Torturuan dhe dogjën të gjallë dy persona në 97-ën, jepet pretenca për Benjamin Hajron

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Beratit ka kërkuar dënimin me 25 vjet burg për shtetasin Benjamin Hajro, i akuzuar për vrasjen e dy shtetasve, E.P. dhe A.A., në vitin 1997.

Sipas hetimeve, Hajro ka kryer veprën penale “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim me persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur më 3 qershor 1997, kur Hajro dhe bashkëpunëtorët e tij kanë rrëmbyer viktimat dhe i kanë dërguar në një garazh, ku i kanë torturuar me mjete të forta dhe armë zjarri, për t’i djegur më pas të gjallë. Viktimat kanë humbur jetën si pasojë e torturave të tmerrshme. Më pas trupat e tyre janë transportuar dhe janë hedhur në qytetin e Beratit. Prokuroria ka provuar se Hajro ka pasur rol kryesor si organizator dhe ekzekutor i krimit, duke kërkuar dënimin e tij me 25 vite burg.

Aktet hetimore janë dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Beratit për shqyrtim dhe veprime të mëtejshme.