A do ta shpëtojë Berishën karta anti-Soros? Nga Fondi Besa te letrat lavdëruese, një historik i shkurtër i pazareve të tij me filantropin

Politikë

Publikuar: 09/11/2024

A do ta shpëtojë Berishën karta anti-Soros? Nga Fondi Besa te letrat lavdëruese, një historik i shkurtër i pazareve të tij me filantropin

Disa gjëra duhen thënë siç janë dhe hapur. Jo se ne kemi gjë me Sorosin, pasi si Xorxhi ashtu dhe Aleksi janë dy të këqija që kanë marrë peng këtë vend prej 30 vitesh, por një pjesë të fajit e ka edhe Saliu… 

Fitorja e Donald Trump ka ekzaltuar jashtë mase ish-kryeministrin Sali Berisha. Duke parë reagimet e tij, më shumë po gëzon ai nga kjo fitore sesa vetë Trump.

Të gjithë e dimë hallin e Sali Berishës: ai shpreson se me ardhjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, do t’i hiqet damka e “non gratës” dhe të dalë i pafajshëm nga drejtësia. Po ashtu, nëse shohim qendrimet e kësaj jave, Berisha ka rikthyer në leksik sulmet ndaj George Soros dhe djalit të tij, Aleksit. Duke e ditur se Trump e ka shpallur “armik” Sorosin, Berisha po tregon se është një anti-Sorosist me shpresën se kjo do të ndikojë te vendimmarrja e Trump lidhur me çështjet e tij.

Por disa gjëra duhen thënë siç janë dhe hapur. Jo se ne kemi gjë me Sorosin, pasi si Xorxhi ashtu dhe Aleksi janë dy të këqija që kanë marrë peng këtë vend prej 30 vitesh, por një pjesë të fajit e ka edhe Saliu. Kjo pasi një herë e një kohë ai e konsideronte mik Sorosin.

Themelimi i Fondacionit Soros

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë u themelua në vitin 1994 në vendin tonë. Në këtë vit president ishte Sali Berisha, i cili mundësoi krijimin e tij. Por kur ai erdhi në pushtet, në vitin 2008 mbështeti sërish këtë fondacion. Në vitin 1998, George Soros krijoi Fondacionin Besa, i cili do të operonte si një entitet juridik, si organizatë joqeveritare, jo politike dhe jo fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Fondacioni Besa filloi aktivitetin e tij në maj 1999 me V.K.M, Nr.207, datë 28.04.1999, kur projekti i Mikrokredisë Urbane u transferua te Fondacioni BESA me themelues Fondacionin SOROS.

Në vitin 1999, qeveria shqiptare i transferoi 309,864,911.50 lekë (mbi 3 milionë dollarë) asete të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (institucion shtetëror) Fondacionit Besa. Në vitet 2004-2006, Fondacioni Besa ka marrë një kredi nga Agjencia Spanjolle për Kooperim dhe Bashkëpunim në vlerë 7 milionë Euro. Këto fonde janë ndërmjetësuar nga Qeveria Shqiptare. Por në kushtet e konsolidimit të aktivitetit të institucionit, Bordi i Fondit BESA dhe Themeluesi (OSF-A) në Qershor 2008 vendosi të aprovojë planin e transformimit të fondit BESA nga statusi OJQ në një status të ri ligjor si shoqëri aksionare. Bordi ekzekutiv i Soros, vendosi që përveç Fondacionit Besa, të krijohen edhe: Fondacioni “ABC” (Albanian Besa Capital) dhe Fondi “Besa” sh.a. Qeveria shqiptare, e përfaqësuar në këtë rast nga Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ra dakord që të gjitha detyrimet dhe të drejtat që Fondacioni Besa kishte me qeverinë shqiptare të kalonin te Fondi Besa sh.a. Pra në këtë kohë doli emri i Ridvan Bodes. Kjo njohje shtetërore e kalimit të detyrimeve të një fondacioni drejt një biznesi është një rast i paprecedent juridik dhe financiar në historinë e financave shqiptare. Pra, nuk ka se si një fondacion të kalojë kapitalet dhe detyrimet te një biznes. Ndërkohë borxhet miliona dollarë u paguan nga taksat e shqiptarëve.

Ndërkohë, mbështetje u dha dhe nga ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili lejoi që Fondi Besa të operonte për shumë kohë pa licencë.

Letra e Berishës

Po ashtu është publikur dhe një letër që Berisha në atë kohë si Preisdnet i Republiëks, i dërgonte Sorosit dhe e konsiderote si mik.

“I dashur Z.Soros. Po ju shkruaj para së gjithash për t’ju falenderuar për mbështetjen shumë të nevojshme të Fondacionit “Shoqëria e Hapur” i ka dhënë lëvizjes demokratike në Shqipëri, 120 tonët e letrës janë shembulli i ndihmës që fondacioni juaj dhe shtypi amerikan demokratik shqiptar në kohën dhe me qëllimin e duhur. Nuk ka dyshime se kjo ndihmesë, ishte çelësi për fitoren madhështore demokratike në zgjedhjet tona të fundit. 45 vjet të izolimit të shtetit mbi ekonominë e kanë lënë Shqipërinë në një nevojë të ngutshme për reformë të plotë ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. Nuk ka asnjë dyshim se mbështetja juaj për një Grup Këshillimor pranë qeverisë shqiptare të luajë një rol të rëndësishëm në planifikimin dhe kryerjen e këtyre reformave. Si qeveria shqiptare ashtu edhe unë personalisht shpresojmë që të kemi marrëdhënie të frytshme me fondacionin tuaj. Kështu që unë ju ftoj me kënaqësi të madhe të vizitoni Shqipërinë si miku im personal. Shpresoj të shihemi së shpejti”, shkruhet në letrën e Berishës.

Kë të besojmë, Berishën tani apo atë të dikurshmin? /Pamfleti