Prapaskena

Aktualitet

Protesta e opozitës, gjykata vendos masën “detyrim paraqitje” për tre protestuesit!

Publikuar: 31/10/2024

Gjykata e Elbasanit ka lënë në masën e sigurisë detyrim me paraqitje 3 protestuesit arrestuar në Tiranë, pas protestës së 29 tetorit të organizuar nga opozita me bllokimin e rrethrrotullimeve kryesore, mes tyre dhe i Bradasheshit.

Në total policia njoftoi dje se janë arrestuar 4 protestues, 1 në Tiranë e 3 në Elbasan.

Ndërsa po hetohen në gjendje të lirë 194 protestues si dhe 16 deputetë janë kallëzuar penalisht në SPAK. Arrestimet për llogari të Elbasanit u bënë mbrëmjen e të martës dhe mëngjesin e të mërkurës.

Tre opozitarët Edi Pojani, Hamza Lamçja dhe Arben Pjetri ranë në pranga për veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjyqtarja e Elbasanit Yrfet Shkreli la në fuqi masën e kërkuar nga prokurori, Gjergji Ceka.

Në seancën e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, jashtë u vu re pjesëmarrja e lartë e efektivëve të policisë dhe eksponentëve të Partisë Demokratike në Elbasan.

Deri me tani nga protesta e opozitës në Elbasan janë proceduar 20 persona në gjendje të lirë dhe 3 persona janë shpallur në kërkim.

Një ditë parë kreu i PD në Elbasan, Blendi Himçi dhe deputeti Tomorr Alizoti, e cilësuan arrestimin e protestuesve të padrejtë, duke i bërë thirrje organeve ligjzbatuese ta çmojnë të jashtëligjshëm atë.

Gjithashtu nën hetim për protestën në Bradashesh janë edhe 3 deputetët e opozitës Tomorr Alizoti, Edmond Spaho dhe Qani Xhafa, gjithashtu të kallëzuar në SPAK bashkë me 13 kolegë të tjerë.



Më të lexuarat