Igor Kokunov “u dogj” për pak orë, Ministria e Drejtësisë: U ekstradua më 30 tetor, vendimi i GJK mbërriti jashtë orarit zyrtar

Politikë

Publikuar: 31/10/2024

Igor Kokunov “u dogj” për pak orë, Ministria e Drejtësisë: U ekstradua më 30 tetor, vendimi i GJK mbërriti jashtë orarit zyrtar

Ministria e Drejtësisë ka reaguar për ekstradimin e shtetasit Igor Kokunov, më datë 30 tetor drejt Rusisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, procedurat e ekstradimit kanë qenë të rregullta, dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pezullonte ekstradimin e tij, ka mbërritur jashtë orarit zyrtar, dhe njohja vendimin është bërë më datë 31 tetor.

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë:

Ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov nga Shqipëria në Rusi u realizua sipas procedurave ligjore dhe vendimeve gjyqësore të miratuara nga autoritetet shqiptare. Kokunov, lindur më 10.02.1964 në Rusi, u arrestua në Shqipëri më 26.08.2023 dhe fillimisht iu caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për 40 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër më 29.08.2023. Me vendim të ri më 04.10.2023, kjo masë u shndërrua në “Arrest në burg” pa afat, për të mundësuar vazhdimin e procedurave të ekstradimit.

Në kuadër të përgatitjeve për ekstradimin, më 26.09.2024 Ministria e Drejtësisë kërkoi informacione për gjendjen ligjore të Kokunov. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se ai mbahej për efekt të masës së sigurimit “Arrest në burg”, pa afat. Pas miratimit të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe konfirmimit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë miratoi ekstradimin më 14.10.2024.

Ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov u krye më datë 30 tetor 2024, në orën 16:45, sipas proces-verbalit të nënshkruar në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ku ai u dorëzua autoriteteve ruse. Më datë 31 Tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa me email Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar. Ky vendim, i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë.

I njohur me nofkën Vasia Bandit, “hajdut me ligj”, prokuroria ruse thotë se 60-vjeçari nga viti 1993- 2019 mori postin më të lartë në hierarkinë kriminale.

Statusi “hajdut me ligj” thotë zëvendës prokurori i Përgjithshëm rus, është statusi më i lartë i përjetshëm në hierarkinë kriminale dhe dëshmon përkatësinë e tij dhe autoritetin e padiskutueshëm në elitës kriminale.

Rusët thonë se Kokunov nga 2005- 2015 ofroi patronazh kriminal të veprimtarisë së kompanisë së  përbashkët aksionere “FIRST Moscoë Ëatch Factory” me një tarifë për të marrë para në gati 1 milionë rubla.

Më pas zgjidhi konflikte me strukturat e tjera kriminale derisa zuri postin më të lartë me këta udhëheqës të botës kriminale, shkruhet më tej në dosjen që rusët kanë dërguar në Shqipëri.