Arsimimi i deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka, i njohur për sjellje të dhunshme në Parlament, është veshur gjithnjë me mister. Në CV-të e nënshkruar prej tij, Flamur Noka është kujdesur gjithmonë të mos saktësojë kohën e nisjes dhe përfundimit të arsimit të lartë.
Në jetëshkrimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, për arsiminin e z. Noka thuhet se ‘ka përfunduar arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, geda ‘mjekësi’ dhe është specializuar si mjek onkolog’.

Mungon viti i nisjes dhe i përfundimit të studimeve. Ndërkaq, në CV-në e dorëzuar në KQZ kur ka kandiduar për deputet, Flamur Noka shkruan se ka kryer arsimin e lartë dhe se është specializuar si onkolog, duke shmangur të dhënat për vitin e nisjes dhe mbarimit të studimeve.

Enigma e arsimimit të Flamur Nokës gjen njëfarë zgjidhje në një tjetër jetëshkrim në faqen zyrtare të Partisë Demokratike pasi Sali Berisha arriti t’i merrte vulën Lulzim Bashës.
Në faqen e PD-së thuhet se Flamur Noka i ka përfunduar studimet e larta në vitin 1997, kur në Shqipëri kishte plasur anarkia dhe lufta me natyrë civile.

Flamur Noka ka lindur në vitin 1971. Nëse studimet për mjekësi i ka nisur në vitin 1990 kur ishte 19 vjeç, Noka është diplomuar për 8 vjet. Ndërkaq, nëse Noka i ka nisur studimet në vitin 1990, i janë dashur 16 vite për t’u bërë doktor onkolog.
Muli, personazhi satirik
Flamur Nokën, për vite me radhë, nuk e njihte njeri jashtë oborrit të PD-së. Gjatë mandatit të parë të qeverisjes së Berishës 2005-2009, kur gjithë paria e selisë blu ishte në parlament ose në qeveri, Noka u caktua nga Berisha si sekretar organizativ i partisë; ose thënë ndryshe njeriu që do të mbante hapur derën e selisë ndërkohë që të gjithë demokratët ishin në zyrat e qeverisjes.
Megjithatë, Nokën nuk e njihte askush.
Për shumë kohë të gjithë besonin se ishte një personazh i sajuar nga Mero Baze në rubrikën e tij humoristike “Antena” ku çdo ditë tregonte bëmat e Mulit që mbante çelësat e partisë dhe i raportonte Berishës.
Baze i kishte krijuar atij profilin e “shejtan-budallait” që si prish punë njeriu, po ishte një personazh lehtësisht i ironizueshëm.
Më tej, krejt papritmas, kur askush se priste, Berisha e futi në listat e deputetëve. Jo vetëm kaq, por në fund të mandatit të dytë, Berisha vendosi ta bënte Ministër të Brendshëm.
Spiunazh
Pasi Noka nga roje te PD u bë ministët, Mero Baze e mori seriozisht dhe i publikoi disa dokumente që e lidhnin Nokën me shërbimin sekret serb kur ai ishte akoma shumë i ri në vitin 1991.
Noka ishte ndaluar në ish-Jugosllavi dhe siç thonë dokumentet i ishte kërkuar të bëhej agjent i UDB-së, por më pas ishte lënë i lirë dhe ishte kthyer në Shqipëri. Edhe pse opozita kërkoi që në bazë të ligjit të dekriminalizimit t’i hiqej mandati i deputetit për këtë çështje, kryeprokurori Adriatik Llalla e nxori të larë emrin e tij. Sipas prokurorisë është konkluduar se deputeti Flamur Noka, i cili ka qenë nën procedurën e verifikimit, nuk është në kushtet e ndalimit sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Muli në afera korruptive me Entin e Banesave
Afera e parë e Flamur Nokës është shënuar kur ka qenë kryetar i Bordit të Entit të Banesave. Ai ka pajisur me apartamente si të pastrehë në Sarandë, njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me këtë qytet.
Mes tyre bëjnë pjesë dy vëllezërit e tij, që ishin emigrantë, e motra, Lule Basha, por dhe shtetas të huaj. Mes përfituesve të banesave është edhe një shtetase belge, e cila raportohet se është bashkëshortja e vëllait të Flamur Nokës.
Një prej tyre është Shkëlqim Beshiri i kullave. Për të gjithë ata që nuk e njohin, Beshiri, përveçe milioner, është edhe mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Muli nga i pastrehë me apartament 1 milionë euro te Liqeni

Një apartament 190 metra katror, në katin e dytë të këtij pallati tek Liqeni Artificial i Tiranës, është blerë nga deputeti Flamur Noka me çmimin qesharak, 794 euro metri katror. Me 794 euro m2 nuk blen dot as në Kamëz.
Zona konsiderohet nga më luksozet në Tiranë, në rrugën “Sami Frashëri” ngjitur me liqenin, ku sot, në pallatin e famshëm të kuq, mund ta gjesh një apartament më minimalja me 4000 euro metri katror. Kur është bërë shitja në themel, çmimi ka qenë 2.500 euro metri katror.
Por si arriti Flamur Noka, të bëhet pronar i këtij apartamenti të cilin e bleu me një çmim zyrtar prej 151.000 euro, pra mbi 5 herë më pak se sa vlera reale?
Noka ka shitur një apartament 83 metra katrorë në katin e 8 në zonën e ish-bllokut, me vlerë 180 mijë euro. Pra apartamenti i vjetër është shitur me 2.100 euro m2. Menjëherë më pas, blen apartamentin me çmimin qesharak te Liqeni.
Për ta bërë më të thjeshtë: Flamur Noka shet apartamentin e tij në këtë pallat në rrugën “Andon Zako Çajupi” me çmimin e fryrë mbi 2 mijë euro metri katror, dhe fill më pas, blen në zonën më të preferuar dhe më të shtrenjtë të Tiranës, një tjetër apartament me dyfishin e sipërfaqes, me një çmim qesharake për 151 mijë euro.
Operacion tipik i atyre që për të pastruar paratë që disponojnë cash, fryjnë vlerën e shitjes dhe pakësojnë vlerën e blerjes. Në vitin 2013, Flamur Noka blen edhe një garazh me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 22.400 euro, me 2 vende parkimi, në të njëjtin pallat të kuq buzë liqenit, një tjetër çmim jashtë vlerës reale të tregut.
Një garazh dopio në atë pallat kushton jo më pak se 200.000 euro, pra 10 herë më i shtrenjtë se sa ka deklaruar ish ministri. Është pikërisht ky pallat ku sot banon Flamur Noka. Një kat sipër Flamur Nokës, ka zyra edhe Shkëlzen Berisha. Nëse i referohemi vlerës reale të shtëpisë në zonën më elitare të Tiranës dhe të garazhit, do të shkonte rreth 1 milionë euro.
Noka firmosi koncensionin korruptiv të pasaportave

Më 21 korrik 2008, Ministria e Brendshme, degë e qeverisë Berisha, firmosi kontratën koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin Sagem Securite dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, një organizatë jofitimprurëse, e cila do të menaxhojë edhe Parkun e Butrinit.
Kompania Aleat, e cila do të zbatonte koncensionin, u themelua gati një muaj më vonë, në 18 gusht 2008, që do të thotë se kur është firmosur kontrata, Sagem Securite nuk ekzistonte në Shqipëri. Kjo praktikë denoncohet sot si shkelje nga opozita në rastin e inceneratorëve!
Pronarët fundorë të koncensionit që u ka kushtuar shqiptarëve mbi 500 milionë euro janë francezi JEAN-ALAIN JOUAN dhe dy shqiptarët Aleksandër Sarapuli e Martin Mata.
Deri në fund të vitit 2021, “Aleat Sh.p.k” ka rezultuar me një fitim neto në total prej 120 milionë euro.
Për sa i takon xhiros vjetore përgjatë këtyre viteve, shifra fiksohet në vlerën e 50 miliardë lekëve ose rreth 500 milionë euro, ndërkohë që 2.2 miliardë lekë ose 18.8 milionë euro janë paguar si tatim mbi fitimin. Por këtu nuk llogaritet fitimi dhe xhiroja e kompanisë për periudhën 2022 dhe janar-korrik 2023, kur edhe përfundoi kontrata. Kompania ka dalë me humbje vetëm vitin e parë, pra në 2008, kur nuk kishte filluar ende të shiste pasaporta.
Nga verifikimi i xhiros dhe shpenzimeve, fitmet e kompanisë arrijnë 34 % të të ardhurave. Kushtet dhe ndryshimet në kontratë i kanë sjellë kompanisë një normë kthimi në masën 356% të kapitalit të investuar.
Asnjë kompani nuk angazhohet në një shërbim për të humbur. Koncensionet nuk janë shpikur nga klasa politike e Tiranës, por problemi qëndron tek kushtet e kontrave dhe manipulimi me zbatimin e kontratave nga koncensionarët, në dëm të interesit publik, në bashkëpunim me funksinarë publikë.
Hije korrupsioni, në sfond Flamur Noka
Kontrata e firmosur më 21 korrik 2008 kishte afat pesëvjeçar. Parashikohej një investim prej 5 milionë euro dhe një fitim rreth 25 milionë euro. Pas këtij afati, parashikohej transferimi i pajisjeve dhe aseteve te autoriteti publik.


Në 19 mars 2013, Flamur Noka, në atë kohë ministër i Brendshëm, sigurisht me aprovimin e Sali Berishës, të cilit i shërben tani, firmosi ndryshimin dhe zgjatjen me 10 vite të kontratës koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me me grupin që kontrollonte kompaninë Aleat.
Ndryshimi i kontratës ka disa elementë të dyshuar si korruptivë, të cilat mund të dokumentohen lehtësisht nga SPAK-u, nisur nga standardi që ka vendosur me disa dosje.
1. Zgjatja e koncensionit me 10 vite ishte një koncension i ri, ku është shmangur gara.
2. U rrit në mënyrë të pa argumentuar çmimi i shitjes së kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike (pasaporta nga 5000 lekë në 7500 lekë, karta e identitetit nga 1200 lekë në 1500 lekë.
3. Kompania kishte shërnuar fitime marramendëse në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012, ndërkohë që me kontratën e re, duke rritur çmimin e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, janë shtuar fitimet e kompanisë në dëm të interesit publik dhe xhepave të shqiptarëve.
4. Kontrata e firmosur nga Flamur Noka dyshohet se bazohet në pretendime të rreme, në mungesë faktesh dhe raportesh, në falsifikime dhe arbitraritet, pasi nuk ka raporte zyrtare që konfirmon investimet e pretenduara.
5. Komisioni për monitorimin dhe zbatimin e kontratës nuk është mbledhur asnjëherë. Nuk ekziston asnjë raport për ecurinë e zbatimit të kontratës.
6. Ka dyshime të forta se kompania nuk ka blerë pajisje, por i ka marrë me qira, për të ulur koston dhe rritur fitimet, në kundërshtim me kontratën. Kompania nuk ka invesntar asetesh dhe nuk i ka dorëzuar asgjë shtetit shqiptar në përfundim të kontratës.
7. Grupi i Rithemelimit në Partinë Demokratike, më 23 janar 2023, kundërshtoi transferimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit te Ministria e Brendshme pas mbarimit të kontratës në korrik 2023. Zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo në një deklaratë për mediat se “Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste.
Për kujtesë të publikut, kompania franceze Aleat, që prodhon prej 16 vjetësh pasaporta dhe leternjoftime për shqiptarët, është kooperacioni i “qeverisë Berisha” që bëri të mundur legalizimin e vizave për shqiptarët…”.
Noka blen pasuri me vlerë qindra mijëra euro
Në vitet 2012-2013, që përkon me negociatat dhe finalizimin e shtyrjes së kontratës koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, Flamur Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshne me vlerë qindra mijëra euro.
Flamur Noka blen një apartament, në zonën më të shtrenjtë të Tiranë, te diga e Liqenit, pallati i famshëm i kuq, kati II, 190 m2 si dhe një garazh 70 m2, m vlerën 173 400 euro. Ka blerë gjithashu një makinë 40 mijë euro dhe një makinë tjetër 6 milionë lekë.
Vlera e pasurisë tek Liqeni, që Noka e ka deklaruar 173 mijë euro, kushton rreth 1 milionë euro.