Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku përmenden personazhe të krimit të organizuar.
Bardhi beson se persona të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, janë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.
Po çfarë përmbajnë këto mesazhe?
Bëhet fjalë për një bisedë e pretenduar në SKY mes Ervis Martinajt dhe ushtarit të tij Erigers Mihasit, i vrarë në nëntor 2023. Theksojmë se përgjimi ka dyshime të forta se është i montuar dhe fabrikuar, por që mund të bazohet në lidhje dhe raporte të përfolura.
Martinaj shfaqet në përgjim si personi që financonte fushatën e PD për zgjedhjet e 2021 me kërkesë të Shkëlzen Berishës.
Martinaj i kërkon Mihasit që t’i japë 100 mijë euro Gaz Bardhit te lokal Mondiali për të blerë vota.


(Pjesë nga përgjimi i pretenduar)
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, thotë Bardhi në letrën drejtuar SPAK-ut.
Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar.
“Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre”, thuhet në letrën drejtuar SPAK.
